Tiranë, 26 Nëntor, NOA – Të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg, pa u liruar, siç paraqitën kërkesën avokatët e tyre në seancën e radhës së procesit në fjalë.
Fjala është për 3 të arrestuarit e tragjedisë së Gërdecit Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeci; për të cilët gjykata e Tiranës ka publikuar sot vendimin për mbajtjen ende në mjediset e paraburgimit. Konkretisht, ka qenë Maksim Haxhia, avokati mbrojtës i Mihal Delijorgjit i cili kërkoi lirimin e klientit të tij, duke pohuar se ndaj tij, masa e arrestit e ka humbur fuqinë pasi ka kaluar një vit nga dërgimi i dosjes në gjykatë.
Të arrestuarit kërkojnë lirimin nga qelia me pretendimin se afatet e paraburgimit kanë përfunduar, por prokuroria është shprehur kundër kësaj kërkese, duke u përpjekur të argumentojë se paraburgimi nuk e ka humbur fuqinë.
Nga shpërthimi i fabrikës të demontimit të armëve në Gërdec në 15 mars të vitit 2008 humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 30 të tjerë.
n.e/NOA