English

Haradinaj kërkon lirim të përkohshëm për arsye familjare

Hagë (Hollandë), 26 nëntor - Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar të premten nga Gjykata e Hagës që ta lirojë përkohësisht me rastin e festave të fundvitit.

Për lirim të përkohshëm, Haradinaj ka përmendur arsyet familjare. Në kërkesën e saj, mbrojtja pohon se nuk ekziston rreziku që Haradinaj të ikë ose të ndikojë te dëshmitarët, nëse lirohet përkohësisht nga data 17 dhjetor deri më 14 janar. Haradinaj nuk ka kërkuar leje nga gjykatësi që të merret me politikë, nëse lirohet përkohësisht.

Ai ndodhet në Sheveningen që nga 20 korriku. Tribunali në shtator nuk ka liruar Haradinajn deri në fillim të gjykimit, duke vlerësuar se kjo do të kishte ndikim në gatishmërinë e dëshmitarëve që të paraqiten para Tribunalit.

Dhoma e apelit e Gjykatës së Hagës më 21 korrik e anuloi lirimin e Haradinajt me arsyetimin se procesi origjinal është shënuar me frikësime të dëshmitarëve, dhe ka vendosur që rigjykimi të mbahet pjesërisht.

Në gjykimin e parë të Haradinajt në prill të vitit 2008, ai u lirua nga të 37 akuzat. Gjykimi do të përsëritet pjesërisht edhe ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.

a.k/NOA/INA

KOMENTE