English

Ismail Kadare - Një intrigë politike dhe dashurie

Nga Charles McGrath

Emri i romancierit shqiptar Ismail Kadare përmendet rregullisht në kohën e çmimit Nobel dhe ka ende shumë shanse ta fitojë së shpejti. Ai shkruan në një gjuhë që nuk është anglisht. Ai vjen nga një vend, për të cilin shumica jonë nuk dinë pothuajse asgjë, ku ai u shtyp jo vetëm nga një totalitar mediokër, por nga i egri dhe paranojaku Enver Hoxha. Ai është i zhdërvjellët si në stilin modern, ashtu edhe në atë postmodern. Dhe, diçka e paparashikuar, ai është, me sa duket, i paaftë për të shkruar një libër që nuk është interesant.

“Aksidenti” fillon si një thriller, apo si një përditësim i një romani të Alan Furst. Një taksi del nga një autostradë vjeneze, duke i nxjerrë jashtë dy pasagjerët e vet nga dyert e prapme. Në kohën që vjen ndihma, ata janë të dy të vdekur. Shoferi, dukshëm i tronditur, nuk mund të tregojë se çfarë ka ndodhur përveç të thotë se qëlloi që vështroi te pasqyrëza dhe pa udhëtarët, një burrë dhe një grua, “që po përpiqeshin të putheshin”. Viktimat del se ishin shqiptarë dhe dashnorë për një kohë të gjatë: Besfort Y., një analist që punonte në Këshillin e Europës për çështjet e Ballkanit, dhe Rovena St., stazhiere e Institutit Arkeologjik të Vjenës. Për shkak se Besforti mund të ketë qenë përfshirë në bombardimin e Jugosllavisë gjatë luftës së Ballkanit, qeveria serbe fillon të hetojë dhe shumë shpejt edhe shërbimi i fshehtë shqiptar bën të njëjtën gjë. A mund të ketë qenë aksidenti një vrasje politike? Një vetëvrasje e dyfishtë? Kur këto hetime nuk ia dalin mbanë të gjejnë ndonjë gjë konkrete, një personash i quajtur hulumtuesi – një zëvendësues i romancierit – e rimerr hetimin dhe ngulazi përpiqet ta rindërtojë ngjarjen. Ai i shikon provat me vëmendje, ashtu siç janë - “hamendje të errëta, që rrihnin të zgjonin dyshime, fraza me dy kuptime, dialogë të pazbërthyeshëm, të nxjerrë nga rikujtime bisedash telefonike”, – dhe gjithashtu u jep liri imagjinimeve të veta. Rrëfimi i tij për marrëdhënien e çiftit, që përbëhet më së shumti nga takime në dhoma hoteli me katër yje, kalon sa para pas në kohë dhe alternohet ndërmjet këndvështrimit të Besfortit dhe atij të Rovenës. E parë vetëm nga njëra anë, historia e tyre duket se është ajo e një marrëdhënieje mjaft të zakonshme, me ftohjet dhe ngrohjet, e intensifikuar, ndoshta, nga politika e Ballkanit dhe nga periudhat e gjata që kalojnë larg njëri-tjetrit, duke menduar. Hidhësia e zënkave të tyre shpesh largohet nga ëmbëlsia e pajtimeve të tyre; në të vërtetë, edhe pse flasin shumë për të, as që bëhet fjalë për ndarje. Ata mund të mos kenë rënë në dashuri, por nuk janë gati për ta lënë njëri-tjetrin. Ka edhe një anë tjetër, megjithatë. Hulumtuesi regjistron – ose imagjinon – çuditshëm mënyrën se si gjinjtë e Rovenës gufohen dhe tkurren, në varësi të asaj se si po shkon marrëdhënia, dhe përshkruan me detaje të pornografisë së lehtë vizitën e çiftit në një klub shqiptar këmbyesish. Apo ndoshta hulumtuesi po ngazëllehet tek e sajon këtë. Nuk mund ta dimë me siguri. E dimë që Besforti e nxit Rovenën të ketë dashnorë të tjerë, ose të paktën i toleron ata, dhe pastaj brehet nga xhelozia dhe e quan atë “call girl”. Një luftë e pashmangshme në marrëdhënie, që merr përmasat e një lufte politike për pushtet. Hulumtuesi sugjeron në disa vende se e gjithë historia mund të lexohet si një alegori e regjimit të Hoxhës, së pari me Rovenën e më pas me Besfortin në rolin e tiranit. “Unë abdikoj”, thotë Besforti. “Që askush të mos më rrëzojë dot”. Rovena përgjigjet: “Bjer, ngrihu prapë, bëj ç’të duash. Unë s’tu shmanga që s’tu shmanga dot”. Në fund, acarimi – pamundësia për të ditur ndonjë gjë me siguri – e bën hulumtuesin ta kapërcejë limitin, gjë që e transmeton te romani, duke shtjelluar spekulime gjithnjë e më të çmendura përpara se të japë një zgjidhje. Ndoshta njëri apo udhëtari tjetër në ndenjësen e pasme ishte një kukull? Ndoshta kukullat janë më të vërteta nga ata që përfaqësojnë? Ndoshta çelësi i asaj që ndodhi ruhet, si një enigmë e “Përmes pasqyrës” (Through the Looking-Glass), brenda vetë pasqyrëzës prapashikuese dhe do të zbulohet një mijë vjet më vonë? Çfarë mbetet pas në gjithë këtë hamendësim metafizik janë Rovena dhe Besforti, të cilët, në vend që të zhvillohen dhe të bëhen më interesantë ndërsa libri vazhdon, zvogëlohen. Ata bëhen aq të panjohur, saqë pothuajse nuk janë më as personazhe. Ndoshta kjo është e paramenduar nga Kadare, por kjo do të thotë se lexuesi duhet të heqë dorë nga disa prej kënaqësive tradicionale të romanit – iluzioni i njohjes së njerëzve me mish dhe gjak – për të përjetuar ndjesinë trallisëse të të shikuarit të tyre përmes një pasqyre të shtëpisë së horroreve. Me aq sa dimë, kjo është në të vërtetë se si ndiheshe në Shqipërinë e Hoxhës, dhe “Aksidenti” mund të jetë më shumë se shëmbëlltyrë, një realizëm kryengulthi. Sido që të jetë, ai të çon në një vend që romanet nuk e vizitojnë zakonisht në ditët e sotme dhe gjithashtu të bëjnë mirënjohës që nuk të duhet të jetosh aty.

* “New York Times”

KOMENTE