Tiranë, 26 nëntor, NOA – Zhvillimet e reja në rajon kanë sjellë dhe një tjetër këndvështrim të marrëdhënieve me fqinjët. Në këtë optikë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta ka deklaruar sot se “Shqipëria e shikon Serbinë si një partnere shumë të rëndësishme për bashkëpunimin rajon dhe për integrimin evropian të gjithë rajonit”.
Deklarata e kreut të qeverisë u bë gjatë takimit për Ditën e Ekonomisë së Serbisë, organizuar nga Ambasada e Serbisë në Tiranë.
Meta u shpreh se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë po fitojnë një dinamikë gjithnjë e më të qartë, pasi integrimi evropian i dy vendeve dhe i gjithë rajonit është një objektiv i përbashkët.
“Marrëdhëniet midis dy vendeve në të kaluarën kanë qenë tepër të vështira, por sot ato jo vetëm që janë mese të normalizuara, por edhe po fitojnë një dinamikë gjithnjë e më të lartë, pasi ne kemi vendosur një objektiv të përbashkët që është integrimi evropian i vendeve tona dhe i vendeve të rajonit tonë”, u shpreh ai.
Kreu i Ekonomisë theksoi se kjo mënyrë e ndërtimit të marrëdhënieve këtkohet dhe nga biznesi mes dy vendeve.
“Kjo frymë konstruktive dhe pro evropiane është më shumë se e dëshiruar, në radhë të parë, nga biznesi, sepse biznesi kërkon më shumë se kushdo tjetër stabilitet dhe bashkëpunim, si kusht për një zhvillim të shpejtë dhe të suksesshëm të sipërmarrjeve”, tha Meta.
Ai vlerësoi faktin se sipërmarrjet serbe dallohen për eksperiencën dhe ambicien e tyre dhe theksoi se, sipërmarrësit shqiptarë janë po kaq vitalë dhe do të jenë partnerë shumë të mirë lokalë për sipërmarrësit e shtetit serb.
Meta u shpreh që marrëveshjet në proces mes Shqipërisë dhe Serbisë të nënshkruhen sa më shpejt, në mënyrë që të krijohet i gjithë kuadri i plotë ligjor për të operuar në fushën e sipërmarrjeve dhe investimeve.
“Ne duam që sa më shpejt të nënshkruhen të gjitha marrëveshjet që janë në proces midis Shqipërisë dhe Serbisë, në të gjitha fushat, dhe në këtë mënyrë të krijojmë të gjithë kuadrin e plotë ligjor për të operuar në fushën e sipërmarrjeve dhe investimeve”, tha Meta.
Numri dy i qeverisë u shpreh se pas heqjes së vizave nga Tirana e njëjta gjë pritet edhe nga Beogradi.
“Që nga prilli i këtij viti Shqipëria hoqi vizat për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe besojmë që, edhe pse me vonesë heqja e vizave nga Serbia për shqiptarët, përsëri kjo t’i japë një impuls marrëdhënieve bilaterale. Unë do të shpresoja dhe besoja se një lidhje e drejtpërdrejtë ajrore Tiranë-Beograd do të jetë e shpejtë”, tha Meta.
Duke u ndalur te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, Zv. Kryeministri Meta shprehu besimin se brenda pak vitesh ato do të jenë të shkëlqyera, ashtu sikurse janë sot marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Unë kam besim në marrëdhëniet midis dy vendeve. Përpara 12 vjetësh Shqipëria pothuajse nuk kishte marrëdhënie me Malin e Zi, atë kohë pjesë e ish Federatës së Mbetur. Sot mund të konfirmojnë që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë të shkëlqyera”, tha kreu i Ekonomisë.
Meta garantoi biznesmenët serbë për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, duke shprehu bindjen se e ardhmja e Ballkanit është bashkëpunimi, gjë që më mirë se kushdo e kupton biznesi.
a.k/NOA