Elbasan, 26 nëntor, NOA Update – Kryetari i Partisë Socialiste të Vërtetë 91, Petro Koçi ka zyrtarizuar sot bashkimin e tij me koalicionin e opozitës.
Kreu i PSV 91 ka marrë pjesë në protestën që po zhvillohet sot në qytetin e Elbasanit për transparencën e zgjedhjeve.
Në fjalën e tij Koçi ka deklaruar se vetëm largimi i qeverisë aktuale mund të hap rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Por veç pjesës që ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve, Koçi ka theksuar se është e nevojshme të ketë një bashkim të së majtës.
Ai ka bërë thirrje që partitë e majta të bashkohen në projektin e ri, në mënyrë që të ecet para me integrimin e vendit.
***
Në protestë ishin të pranishëm, kryetari i PS-ë, Edi Rama, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi dhe përfaqësues nga të gjitha partitë e opozitës.
Fillimisht fjalën e ka marrë deputetja e Partisë Socialiste e zgjedhur në qarkun e Elbasanit, Valentina Leksaj.
Ndërkohë që kanë folur kreu i PLD-së, Spartak Ngjela dhe përfaqësuesi i ish-të përndjekurve politike Kurt Kola. Gjatë fjalës së tij, Kola u shpreh se “ne nuk do të lejojmë që të ketë një diktaturë të re”. Ndërsa e cilësoi kryeministrin Sali Berisha si “mashtruesin numër një”
a.k/NOA