Bruksel, 26 nëntor, NOA - Megjithëse bankat në Irlandë shpëtuan nga falimentimi, me ndihmat e ofruara në miliarda, kursi i euros nuk po stabilizohet. Franca dhe Gjermania ngrenë zërin për një forcim të mekanizmit anti-krizë për të shpëtuar euron.
Mekanizmi evropian i krizave ka nevojë të përmirësohet në plan afatgjatë. Kështu u shprehën të enjten në Berlin ministrja e Jashtme franceze, Michele Alliot-Marie dhe homologu i saj gjerman, Guido Vestervelle: "Ne duam një euro që të jetë e mbrojtur në plan afatgjatë ndaj krizave, përmes një mekanizmi të qëndrueshëm ndaj çdo lloj 'moti'". Pritet që në samitin tjetër të BE-së në 16 dhe 17 dhjetor të vendosen piketat për forcimin e mekanizmit anti-krizë.
Ndërsa ministrja e Jashtme franceze, Michele Alliot-Marie thotë se Parisi dhe Berlini kanë pozicione të njëjta në këtë çështje. Pas takimit për herë të parë me homologun e saj gjerman në Berlin, ajo tërhoqi vëmendjen për rrezikun që ekziston nga spekulantët. "Jemi të konfrontuar me një sulm spekulativ ndaj Evropës dhe euros. Ky drejtohet kundër atyre vendeve, që në sytë e spekulantëve duken të dobëta".
Kundër spekulantëve ndihmon vetëm një buxhet i konsoliduar
Fakt është aktualisht që jo vetëm Irlanda ndodhet në rrezik, por edhe për Spanjën dhe Portugalinë po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë marrja e kredive në tregjet financiare.
Ekonomia portugeze po paralizohet, shumë degë të saj nuk janë më të afta për konkurrencë. Por edhe Spanja ka probleme të mëdha, që kur pëllciti tollumbacja e fryrë e tregut të pasurive të patundshme. Këto vende janë futur shumë thellë në borxhe, dhe janë të varura nga pompimi i kredive të reja të tregjeve financiare. Kjo i bën ato vende të ndjeshme, sepse normat e interesit për këto vende njohin vetëm rritje.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle kundërpërgjigjet: "Muri më i mirë mbrojtës kundër spekulantëve është një politikë e konsoliduar buxheti në vend. Valët e spekulimeve bëhen atëherë të rrezikshme, kur themelet kanë pësuar çarje."
Se ç'formë do të ketë paketa evropiane e shpëtimit, pas vitit 2013, për këtë vetëm diskutohet aktualisht në kancelaritë evropiane. Po të bëheshin gjërat sipas vullnetit të Francës dhe Gjermanisë, bankat do të duhej që në këtë kohë të jepnin kontributin e tyre në kapërcimin e krizave, ashtu siç përfitojnë me ngjizjen e tyre.
Një gjë dihet: Frika nga një krizë borxhesh evropiane sundon tregjet financiare, megjithë ofrimin e ndihmës Irlandës në masën e 85 miliardë eurove. Shefi i fondit evropian të shpëtimit, Klaus Regling përpiqet të qetësojë zërat për dështimin e euros. Rreziku që të dështojë euroja aktualisht është zero, i tha ai gazetës gjermane"Bild " të enjten.
Deutsche Welle