English

Topi-Rifai: Shqipëria, turizëm të admirueshëm

Tiranë, 26 Nëntor, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Kombeve të Bashkuara për Turizmin, Taleb Rifai, dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.

Pasi i uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim, Topi bëri një panoramë të shkurtër të disa prej zhvillimeve në vend, si dhe të nismave të ndërmarra nga shteti shqiptar kryesisht në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik si dhe zbatimit të projekteve konkrete infrastrukturore dhe në fushën e turizmit.

Kreu i shtetit, duke vlerësuar vizitën e Rifait si tepër domethënëse në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi përkon me marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian, theksoi se ky proces do të sjellë gradualisht rritjen e interesit për promovimin e turizmit, të bukurive të rralla natyrore dhe të vlerave të veçanta historike e kulturore shqiptare në mbarë botën.

Duke nënvizuar rëndësinë që ka sot për Shqipërinë Organizata Botërore e Turizmit, për mbështetjen që ajo mund të ofrojë në drejtim të zhvillimit të turizmit si një nga sektorët prioritarë të vendit tonë, Topi garantoi përkrahjen e plotë të shtetit shqiptar në realizimin e projekteve, rritjen e investimeve dhe thithjen e turistëve e të investitorëve. Kryetari i shtetit nënvizoi gjithashtu se mbetet me rëndësi bashkëpunimi në fushën e turizmit midis vendeve të rajonit, “i cili duhet të të jetë më intensiv, pasi në këtë mënyrë forcohet bashkëpunimi i ndërsjellë edhe në shumë fusha të tjera jetike”.

Në këtë pikë, presidenti Topi theksoi rëndësinë e realizimit të një projekti të përbashkët mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për zhvillimin dhe mbrojtjen e ekosistemit të Liqenit të Shkodrs dhe Lumit Buna.

Duke patur parasysh potencialet e mëdha të Shqipërisë me natyrën, bregdetin dhe zonat malore ende të paeksploruara, Topi theksoi nevojën e bashkëpunimit dhe të një planifikimi të qartë e të detajuar të zhvillimit turistik, dhe në veçanti të agro-turizmit, të turizmit kulturor dhe historik në harmoni me ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në kuadër të një zhvillimi të përbashkët për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Rifai, vuri në dukje përvojën dhe rolin e organizatës që ai drejton në rritjen, zhvillimin dhe promovimin e turizmit në vende të ndryshme të botës, duke vënë në dukje edhe mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria në këtë fushë.

Rifai nënvizoi se ‘Shqipëria ka shansin të shmangë gabimet e vendeve të tjera në zhvillimin e industrisë së turizmit, si në zonat bregdetare ashtu edhe në ato malore, pasi mund të zhvillojë një turizëm të përgjegjshëm ndaj shoqërisë, kulturës shqiptare dhe vetë ambientit”. n.e/NOA

KOMENTE