English

Zbulohen dy emigrantë shqiptarë me 100 mijë euro kokainë në Benz luksoz

Shqiptarët e arrestuar janë Ferdinand Paja 31 vjeç dhe Marjan Kaca, 29 vjeç, që të dy emigrantë me qëndrim prej vitesh në Itali

Venecia, 26 Nëntor 2010 NOA/ Rid Bulku - Goditje policore i është dhënë trafikut ndërkombëtare të lëndëve të forta narkotike, pasi dy shqiptarë me kokainë të pastër janë arrestuar gjatë një operacioni që erdhi si rrjedhojë e përgjimeve disaditore, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.

Shqiptarët e arrestuar janë Ferdinand Paja 31 vjeç dhe Marjan Kaca, 29 vjeç, që të dy emigrantë me qëndrim prej vitesh në Itali.

I pari kishte leje të rregullt qëndrimi dhe pune në Itali, kurse i dyti kishte marrë më 21 mars 2009 një mandat gjykate që vendoste për dëbimin e tij nga Italia.

Paja dhe Kaca u kapën menjëherë pas kontrollit që iu bë nga skuadra e lëvizshme policore e Venecias, një automjeti luksoz Benz Mercedes Sl 4000 me targa italiane, në dalje të aeroportit Marco Polo, teksa dy të dyshuarit po merrnin autostradën.

“Dy trafikantët që besojmë se ishin në rolin e korrierëve, shfaqën shenja nervozizmi madje ishin të dhunshëm me policët që kryen kontrollin e makinës”, thanë në një konferencë të posaçme për shtyp, drejtuesit e policisë së Venecias.

Në ndihmë të policëve që kryen ndalimin, erdhën forca shtesë dhe më tej, u konkludua në zbulimin e 514 gramë lëndë narkotike të llojit kokainë, me pastërti maksimale, me vlerë në tregun e zi të drogave të forta prej të paktën 100 mijë euro.

Të arrestuarve iu sekuestruan gjithashtu automjeti, një sasi të hollash dhe sende të tjera në dobi të vijimit të hetimit për zbardhjen e fijeve të tjera të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

e.r/NOA

KOMENTE