Shkup, 27 nëntor, NOA - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, në një intervistë për Zërin e Amerikës komenton dosjet e fundit të cilat synojnë të rëndojnë personalitetin dhe veprimtarinë e tij.
Ai i quan këto pamflete që kanë për qëllim nxitjen e konfliktit dhe vëllavrasjes ndër vetë shqiptarët. Zoti Ahmeti flet edhe për koalicionin qeveritar, për arritjet dhe probleme të tjera në vend.
Një ndër çështjet më aktuale është ajo e dosjeve, një ndër to ka të bëjë me ju. Personi i cili dyshohet se i ka falsifikuar ato tash gjendet në paraburgim. A ndjeni lehtësim pas fillimit të shthurjes së lëmshit?
Mendoj se kjo situatë ka qenë një turp jo vetëm për të apostrofuarit, jo vetëm për njerëzit për të cilët shpërndaheshin pamflete denigruese, poshtëruese që njeriu me ndërgjegje njerëzore nuk i bën këto veprime për të arritur ndonjë qëllim. Është më se e vërtetë që shpirtërisht sigurisht që na ka munduar dhe na ka vrarë, sepse asnjëherë nuk më ka shkuar mendja në jetën time se ka njerëz të cilët mund të fabrikojnë, të falsifikojnë dhe të bëjnë gjëra të ulëta vetëm e vetëm për të arritur një qëllim politik. Aty fyhej e poshtërohej një rezistencë, një organizim i të gjithë shqiptarëve. Unë kam kërkuar që të veprojnë institucionet për këtë çështje; unë kam alarmuar komunitetin ndërkombëtar, sepse unë nuk kam dashur që këto çështje të zgjidhen në vetëgjygjësi, nuk kam dashur që të rebelohen njerëzit, nuk kam dashur vëllavrasje; dikush mund ta ketë dhe qëllimin aty që shqiptarët t’i fusë në një konflikt ndërshqiptar. Ne duhet të luftojmë me programe dhe me koncepte. U bëj apel të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë që të mos bien pre e provokimeve të ulëta. Do të kërkoja nga Menduh Thaçi që të tërhiqet nga poshtërimet. Le të përballemi me koncepte njerëzore, programe politike për t’i çuar proceset përpara. Të instalojmë vlera edhe më të mëdha dhe më të rëndësishme.
Megjithatë po vazhdon dalja në publik e faqeve apo dosjeve të tjera që pretendojnë të dëshmojnë ndërlikimin tuaj . Avokati i Hisen Musliut thotë se pranimi i fajit para organeve hetuese, para policisë nuk është relevant në Maqedoni. Si e komentoni?
Nuk mendoj se mbi autorin, fabrikuesin të jetë ushtruar ndonjë mënyrë e dhunshme, ndërsa është çështje e avokatit se ai atë punë e ka. Unë nuk jamë pejsë e procesit hetimor por sigurisht që organet pa patur argumente të qëndrueshme... unë aq sa pashë në televizion kishte faktura në emër të Bozhidar Spasiçit të dërguara nga Hisen Musliu. Musliu duhet të shpjegojë për ato para të dhëna Bozhidar Spasiçit (ish-funksionar i UDB-së), ç‘farë veprime ka kryer Spasiçi... Pastaj çdo pamflet që shpërndahej nëpër mediume, paraprakisht paralajmërohej nga ana e strukturave politike në vend që të prisni një lajm shumë interesant do të jetë në këtë e këtë orë dhe gjithandej. Ne nuk vijmë nga sallonet. Ne vijmë nga një jetë shumë e rëndë, me nga 20, 30 vjet veprimtari e sakrifica.
Pse mendoni se këto dosje dolën pikërisht tash në këtë periudhë?
Unë nuk e di qëllimin e porositësit dhe mendoj që kjo punë nuk është aq e lehtë dhe nuk mund të jetë vetëm një Hisen Musliu; mund të jenë ekipe të tëra që kanë punuar në këtë drejtim, pastaj ka mentorë, ka porositës dhe ka strategji që të arrihet një qëllim.
A mendoni se në të ardhmen mund të paraqiten dosje të këtilla?
Po ta them të vërtetën pres që të më akuzojnë dhe të shpërndajnë ndonjë pamflet që të kem qenë nxitës i luftës midis Koreve dhe në moshën time rreth tre vjeçe të më shpallin si një nga organizatorët e atentatit kundër Xhon Kenedit!
Zoti Ahmeti, sa jeni të kënaqur me koalicionin qeveritar; ka zëra se hamendeni të dilni nga qeveria?
Ne jemi përpjekur që me dinjitet ta përfaqësojmë konceptin, politikën, përcaktimet e BDI-së. Është më se e vërtetë se Maqedonia ballafaqohet me një problem jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe që kërkon zgjidhje. Unë jam në kontakt të përhershëm me SHBA-në, me BE-në dhe Naton dhe kam kërkuar që të na ndohmojnë siç na kanë ndihmuar në këto dhjetë vite për zhvillimin e proceseve në Maqedoni, për të ecur përpara. Dhe nëqoftëse ne vonohemi në aspektin e anëtarësimit në Nato, sigurisht që nuk është mirë për mirëqenien e vendit, as për paqen dhe sigurinë brenda rajonit të Ballkanit perëndimor. Unë nuk mendoj se me veprime të shpejtuara, tërheqja e BDI-së nga koalicioni qeveritar nuk mendoj se do të arrinte zgjidhje.
Në opinion është krijuar përshtypja se kryeministri Gruevski po injoron proceset integruese në përpjekje të mbrojtjes së emrit të vendit. A keni mosmarrëveshje në këtë drejtim brenda koalicionit qeveritar?
Unë asnjëherë nuk kam hasur ndonjë rezervë tek Nikolla Gruevski. Tash bëhen dy vjet që ne jemi së bashku në koalicion, në bashkëqeverisje dhe kemi marrëveshje të nënshkruar me atë për sa i përket integrimit të Maqedonisë në Nato e në BE, për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Si iu përgjigjeni kritikëve të cilët thonë se BDI-ja ka mbetur nën hijen e VMRO-DPMNE-së?
Është e vërtetë se ka një fushatë qoftë dhe në media, apo grupe e grupacione të caktuara për përfitime të tyre të ngushta që bënë një propagandë të tillë se gjoja BDI është inferior, se ka mbetur nën hijen e Nikolla Gruevskit etj. Të gjitha arritjet që janë bërë nuk janë për BDI-në, por janë për kombin shqiptar në Maqedoni, sepse muzeu i Manastirit dhe muzeu i Lirisë në Shkup, hapja e fakultetit në Kumanovë, sheshi Skënderbeu dhe realizime të tjera janë nder dhe krenari për të gjithë shqiptarët dhe këto do t’u mbeten trashëgimi dhe pasuri të gjithë shqiptarëve dhe jo BDI-së.
Çka po ndodh me decentralizimin në Kërçovë, A do të respektohet marrëveshja për bashkimin e qytetit me komunat e Zajazit dhe Osllomesë për të krijuar shumicën e parashikuar shqiptare në këtë qytet?
Unë kam biseduar me të gjitha autoritetet vendore që veprojnë në Kërçovë, autoritete politike dhe me përgjegjësi brenda komunitetit shqiptar që veprojnë atje. Në zgjedhjet e kaluara ishte shumë vështirë që ne të garojmë për shkak se nuk ishim të sigurt se do të mund të siguronim ndonjë fitore në Kërçovë për arësye se një pjesë e elektoratit shqiptar është e shpërndarë nëpër Evropë dhe Amerikë. Kështu që duhet një përgatitje dhe organizim shumë më i mirë.
Çka mendoni për zgjedhjet e parakohshme; Partia juaj ka qëndruar e heshtur në lidhje me kërkesat për zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Sigurisht që BDI ka qëndruar mënjanë sepse nuk beson realisht në kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Duket si shaka kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme kur ajo është shumë e dobët. Në qoftë se për interesa partia, ne na përgjigjet të organizojmë zgjedhje të parakohshme, sepse mendoj që shqiptarët kanë besim tek ne dhe përsëri do të votojnë Bashkimin Demokratik për Integrim. Mirëpo ne nuk e shikojmë interesin e ngushtë partiak, por shohim interesat më madhore për vendin. Të gjindet një zgjidhje për emrin, të anëtarësohemi në Nato dhe BE dhe të shkohet pastaj në zgjedhje të rregullta.
Në lidhje me regjistrimin e popullsisë që pritet të mbahet në muajin prill, sa do të ketë qasje faktori shqiptar në vëzhgimin apo kontrollin e procesit. Dhe a ka një marrëveshje midis jush dhe VMRO-së në lidhje me regjistrimin?
Ligji për regjistrimin është po ai që i miratua për regjistrimin e vitit 2002. Unë jam takuar me Nikolla Gruevskin për çështjen e ligjit por nuk di për ç‘farë marrëveshje bëhet fjalë. Kemi kërkuar vëzhgues ndërkombëtarë siç është Eurostat dhe nuk mendoj që ne të hedhim dyshime, dilema e të flasim në mënyrë hipotetike për numrin e shqiptarëve e të paragjykojmë përqindjen. Nuk bën që t’i japim ngjyrim ndëretnik dhe këto çështje të ndikojnë për largimin e dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni.
VOA