Tiranë, 27 Nëntor 2010 NOA - Paniku që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të tjera të mëdha, përfshin edhe Shqipërinë, pasi në WikiLeaks
pritet të publikohen dhe dokumente që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me vendin tonë. Autoritetet amerikane lëshojnë alarmin se këto dokumente që do të publikohen, rrezikojnë seriozisht me daljen e konfidencialitetit të dokumenteve.Këto dokumente, më parë se t’i botojë në faqen e saj, WikiLeaks ka vendosur t’ua japë të përditshmeve më të mëdha në botë, “The Guardian” , “Spiegel”, “New York Times”, etj., të cilat shumë shpejt pritet t’i bëjnë publike.
Ka qenë vetë z.Filip Kroull, përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë, i cili ka deklaruar se po përgatiten edhe për skenarin më të keq, që dokumentet të cilat do të publikohen, mund të hapin një tematikë të gjerë debatesh me shumë vende të botës.Ai ka pohuar se diplomatët amerikanë janë urdhëruar që në vendet që SHBA ka marrëdhënie, ku përfshihet Shqipëria, të hyhet në kontakt me qeveritë e këtyre vendeve, për t’i informuar mbi këto zhvillime.
Konfirmohet se diplomatë amerikanë kanë hyrë në kontakt, lidhur me disa dokumente që përfshijnë periudhën nga viti 2006 deri më 2009 dhe konkretisht lidhen me çështje të NATO-s, marrëdhëniet me Shqipërinë, si dhe marrëdhëniet me Greqinë, Qipron e nga ana tjetër edhe çështje të marrëdhënieve shqiptaro-turke, ajo e emrit të Maqedonisë dhe të tjera. Detaje të tjera nuk bëhen të ditura.
Sakaq në dokumentet që po publikohen, kanë dalë të dhëna sekrete edhe nga fqinjët tanë. Kështu, e përditshmja “Al hyat” që del në Londër publikoi pak para se materialet të hidhen në faqen e WikiLeaks, dokumente se si Turqia kishte ndihmuar Al Kaidën në Irak. Njëkohësisht, “The Washington Post” ka publikuar dokumente të tjera që zbardhin se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur PKK, Partinë e Kurdëve në Turqi.
***
Faqja e internetit Wikileaks ka publikuar deri tani disa qindra mijë dokumente sekrete për luftën në Irak, të cilët tregojnë se Shtetet e Bashkuara injoruan provat për tortura të vëna në dispozicion nga autoritetet irakiane.
Dokumentet sugjerojnë se qindra civilë janë vrarë në pikat e kontrollit të ushtrisë amerikane pas pushtimit të vendit në vitin 2003.
Madje evidentojnë se ushtria amerikane mbylli sytë përpara rasteve të përdhunimit, torturës e madje edhe vrasjeve të kryera nga policia dhe ushtria irakiane.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se amerikanët përdorën civilët si anti-mina, duke i detyruar këta të fundit të shkelnin të parët në ato zona ku dyshohej se ishin të minuara. Edhe pse është mohuar më parë, dokumentet sugjerojnë gjithashtu se Uashingtoni zyrtar ka regjistruar vdekjet e civilëve.
Në 6 vite luftë të përgjakshme, janë vrarë 109 mijë persona, 66 mijë nga të cilët civilë. Vetë autoritetet amerikane e kritikuan ashpër publikimin e dokumenteve. Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes hodhi poshtë të dhënat e publikuara, ndërsa ditë më parë, sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton tha se dënon publikimin e dokumenteve që vënë në rrezik jetën e ushtarëve amerikanë.
Të njëjtin qëndrim ndau edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ndërsa organizata për të drejtat e njeriut akuzoi Uashingtonin për shkelje të së drejtës ndërkombëtarëve për dorëzimin e të burgosurve të autoriteteve irakiane.
e.r/NOA