Prizren, 27 nëntor, NOA/Irma Toptani – “Ligji i Kosovës për kundërvajtje, nuk privilegjon askënd, qoftë edhe deputet, pasi në rast se ata e shkelin ligjin dënohen për prishje të qetësisë publike”, ka deklaruar në një intervistë për gazetën kosovare, “Koha ditore” gjyqtari, Nazim Vllaqo, që gjykoi deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, për sjelljen e saj arrogante me forcat e policisë kufitare në Vërmicë të dielën e 14 shtatorit, pasi deshi të kalonte kufirin pa iu nënshtruar rregullave kufitare.
Gjyqtari Vllaqo, i cili e penalizoi deputeten e PD-së, Albana Vokshi me 250 euro, për incidentin e shkaktuar për faj të saj, apelon edhe ndaj shefave të qeverive respektive, kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij Sali Berisha, të cilët sikundër thotë Vllaqo e kanë paragjykuar vendimin e tij duke e nxjerrë të pafajshme deputeten Vokshi, me deklarata publike, dhe duke ia mveshur dorazi fajin për incidentin, jo vetëm policëve të kufirit në Vërmicë, por edhe vetë gjyqtarit të çështjes, që sipas kryeministrave Thaçi e Berisha, duhej ta kishte shpallur të pafajshme deputeten e PD-së, ndoshta për shkak se ajo është pjesë e mazhorancës qeverisëse në Shqipëri, e për këtë shkak edhe mosrespektimi apo arroganca e saj ndaj ligjit duhet të miratohet apo te anashkalohet si veprim i drejtë e i ligjshem.
Gjatë intervistës për “Koha ditore”, gjyqtari nga Prizreni, është shprehur i keqardhur për deklaratat e kryeministrave, të cilët janë vënë në rresht për mbrojtjen e deputetes Vokshi pa parë nga afër incidentin në fjalë.
“Mendoj se janë ngutur, pasi për këtë ka edhe procedura ankimore të vendimit, që nënkupton se nëse nuk pajtohen me vendimin që kam marrë unë, mund ta ankimonin atë dhe jo ta paragjykonin”, ka theksuar gjyqtari Nazim Vllaqo.
Por, pas incidentit me deputeten e PD-së, Albana Vokshi, ku ajo sipas mediave kosovare i kishte fyer punonjësit e policisë kufitare me një sjellje arrogante, e mbështetur mandej nga kryeministrat Thaçi e Berisha, pasojat rane mbi kater policet, qe u pezulluan nga puna, vetem e vetem se u përplasën me deputeten, në kryerje të detyrës së tyre të përditshme, deputeten shqiptare qe shkeli rregulloren.
Sipas gjyqtarit Vllaqo deputetja Vokshi, nuk e kish kursyer arrogancën e saj edhe në gjykatë, duke ngritur zërin në mbrojtje të vetvetes, një veprim, që më shumë se pafajësi, dëshmon fajësinë dhe mbrojtjen me çdo kusht të fajit të bërë nga dora vetë, deputetja Vokshi.
Por, tashmë kur edhe vendimi i Gjykatës së Prizrenit i marrë nga gjyqtar Nazim Vllaqo është anuluar, ky fakt dëshmon edhe më tej papërgjegjshmërinë jo vetëm të deputetes Albana Vokshi, por edhe të qeverisë shqiptare, që kërkon me çdo kusht të mbrojë anëtarët e mazhorancës edhe duke shkelur me të dyja këmbët mbi ligjin, duke i meshuar edhe me fort kultit te pandeshkueshmerise qe ka mberthyer demokracine e brishte shqiptare, por jo vetem...
Përtej deklaratave publike dhe bërtitjes së pashtershme përkah respektimit te ligjit, deputetja Albana Vokshi është e njohur në publik edhe për akuzat e mëparshme ndaj saj, për përfitime korruptive tenderash për koncesione hidrocentralesh, akuza të lëshuara nga opozita, që jo pak herë e kanë nxjerrë në foltore ate vete për t’i përgënjeshtruar, një lojë përgënjeshtrimesh kjo, që në Shqipëri, është bërë refren i fjalimeve te pozitës dhe opozitës, ndërsa faji mbetet jetim dhe askush nuk dënohet për të.
mit/NOA