Elbasan, 27 nëntor, NOA – Buxheti i vitit 2011, i denoncuar nga opozita si buxhet elektoral, e që nuk mbështetet në të dhënat reale të ekonomisë sonë, një buxhet i miratuar në seancën maratonë të së enjtes së 25 nëntorit vetëm me votat e mazhorancës, është mbrojtur sot në një takim me simpatizantë të LSI-së në Elbasan nga zëvendëskryetari i lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.
Haxhinasto ka theksuar faktin se Elbasani do të jetë një ndër përfituesit më të mëdhenj të buxhetit të vitit të ardhshëm përmes zbatimit të tij në autostradën Tiranë-Elbasan.
“Tashmë largësia mes Tiranës dhe Elbasanit do të jetë më e shkurtër se sa mund të jetë imagjinuar më parë. Qeveria shqiptare në prioritete e saj ka tashmë financimin e punimeve për tunelin e Elbasanit dhe autostradën Tiranë-Elbasan. Tenderi dhe prokurimi i këtij investimi do të bëhen brenda këtij viti, duke patur kështu mbështetjen e fuqishme të qeverisë së koalicionit. E shndërruar në këtë mënyrë në një nga përparësitë kryesore të kësaj qeverisjeje”, deklaroi Haxhinasto përballë strukturave të LSI-së në Elbasan.
Duke u ndalur tek politikat sociale të qeverisjes së koalicionit, Haxhinasto pohoi se gjatë vitit të ardhshëm përmes këtij buxheti do të shënohet një rritje tjetër në shifra të konsiderueshme në pensionet e fshatit dhe qytetit.
“Me këto rritje ne duam të tregojmë se nuk jemi qeverisja e krizës, por qeverisja e koalicionit frytdhënës, që realizon progres dhe zhvillim jo vetëm në ekonominë shqiptare, por dhe në jetën e qytetarëve të thjeshtë.
Nënkryetari i LSI-së, vlerësoi edhe pasuritë natyrore dhe bukuritë e zonës së Elbasanit, që ndodhet në mes të hartës së Shqipërisë, burimet për zhvillimin e turizmit, duke evidentuar se “është koha që dhe Elbasanit t’i rikthehen traditat e shumë pikave turistike të njohura prej vitesh”.
“Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, por edhe nxitja e iniciativave private do të mundësojë realizmin e këtij objektivi dhe për qarkun e Elbasanit”, tha Haxhinasto.
Sipas Haxhinastos të zgjedhurit vendorë të Lëvizjes Socialistë për Integrim në këshillat bashkiakë apo komunalë duhet të vënë theksin në zgjidhjen e problemeve sa më të shpejta në këtë drejtim, me qëllim, që Elbasani të jetë përfituesi i zhvillimeve të turizmit qoftë kulturore dhe natyrore.
Në këtë takim Haxhinasto bëri thirrje që çdo përfaqësues i LSI-së, në të gjitha nivelet e qeverisjes duhet të jetë promotor i ndryshimeve të mëdha që kërkohen të realizohen në një kohë sa më të shkurtër, duke mbetur mbrojtës të denjë të interesave të qytetarëve të qarkut të Elbasanit.
mit/NOA