Tiranë, 27 nëntor, NOA – Shefi i diplomacisë sonë, Edmond Haxhinasto është ndalur pikërisht në një stendë ku promovohej me broshura ndihma ndaj qytetarëve shqiptarë në ndërgjegjësimin mbi procesin e liberalizimit të vizave në hapësirën Shengen për të theksuar se ngjarjes së madhe për shqiptarët, sikundër është lëvizja e lirë pa viza, i shërbejne edhe kontributet e shoqërisë civile, të cilat ndihmojnë shqiptarët, që kur të lëvizin në Evropë, të prezantohen si janë në të vërtetë: njerëz dinjitozë, evropianë, të gatshëm të kontribuojnë me kulturën e tyre dhe me gjithçka që përfaqësojnë në tërësinë e vlerave evropiane.
Këtë vlerësim ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto e ka bërë gjatë vizitës në stendën “Shqiperi pa kufi” e çelur brenda Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga “Klik Expo Group”.
Duke vizituar këtë mjedis, zoti Haxhinasto vlerësoi angazhimin e organizatës jo qeveritare “Ndihmë…” në fushatën për sensibilizimin e qytetarëve mbi proçesin e liberalizimit të vizave.
“Është një kënaqësi e veçantë, që vizitoj sot KLIK EKSPO, tha ministri Haxhinasto, e të ndaloj posaëërisht para kësaj stendë të një organizate joqeveritare, e cila është angazhuar në promovimin e informacionit të domosdoshëm për momentin kur të gjithë shqiptarët do të lëvizin të lirë pa viza në hapësirën Shengen”, shtoi ministri i Punëve të Jashtme.
Ai i përgëzoi inisiatorët e kësaj mënyre ndërgjegjësimi duke uruar që mesazhi që kjo shoqatë përhap të bëhet sa më publik.
“Përmes tij nënvizohet se shqiptarët që do të udhëtojnë drejt vendeve evropiane, duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm ndaj të gjitha kritereve dhe standardeve, që duhet të respektojnë në hapësirën e Evropës së Bashkuar’’, cilësoi kryediplomati shqiptar.
mit/NOA