Tiranë, 27 Nëntor 2010 NOA - Pritet që brenda muajit dhjetor kompania celulare Vodafone sipas disa burimeve të besuara do të ofrojë zyrtarisht shërbimin e “teknologjisë së tretë” apo siç njihet ndryshe 3G.
Kjo teknologji inovative për Shqipërinë, e cila gjithsesi mbetet ndër të fundit në rajon që po e aplikon këte teknologji, do bëjë të mundur që aparati celular të shndërrohet edhe në një mini-kompjuter.
Në sajë të shpejtësisë së internetit 3G si në celular apo në kompjuterët tuaj, eksperienca me botën e internetit do të jetë shumë më tërheqëse dhe sidomos cilësore.
Duke përdorur 3G abonentët Vodafone do të mund të lexojnë postën elektronike, të ngarkojnë apo shkarkojnë foto me rezolucion të lartë, muzikë apo të dhëna të tjera në internet me një kohë rrufe dhe mbi të gjitha në çdo cep të Shqipërisë.
Sistemi i gjeneratës së tretë 3G i njohur ndryshe si Sistemi Universal i Telekomunikacionit Celular (UMTS) sjell një ndryshim të ndjeshëm për sa i përket navigimit në celular.
UMTS me një paketë interneti me shpejtësi të lartë (HSPA), ka arritur të jetë globalisht zgjidhja perfekte për internetin në celular.
Në dhjetëvjeçarin e ardhshëm 3G do të përdoret nga një numër i madh abonentësh duke iu përshtatur më së miri teknologjisë pa tel (wireless).
3G është një gjeneratë standardesh për telefoninë celulare dhe i jep mundësinë përdoruesve të telefonit celular të kenë internet të shpejtë, videocall, tv në celular etj. Krahasuar me standardet e mëparshme 2G ose 2.5G, 3G ofron shpejtësi transferte të dhënash në mbi 3 Mbps, që do të thotë se për të shkarkuar nga interneti në celular një këngë MP3, nevojiten vetëm 13 sekonda.
e.r/NOA