Prishtinë, 27 nëntor, NOA – Edhe Kosova së shpejti do të gëzojë regjimin pa viza me Bashkimin Evropian. Një fakt të tillë e ka theksuar raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunachek, e cila nga Prishtina tha se beson që Komisioni Evropian do të hapë së shpejti dialogun me Kosovën për liberalizim të vizave.
Edhe pse ajo nuk ishte në gjendje të saktësonte një moment të caktuar kohor lidhur me këtë, deklaroi se janë një numër vendesh anëtare të BE-së, përveç atyre që ende hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, kanë shfaqur hezitime për hapjen e dialogut për lehtësimin e vizave.
E kjo sipas saj, paraqet pengesë që një gjë e tillë të realizohet sa më shpejt, por jo që të mos duket e besueshme se një ditë do të përmbushet.
"Unë pres që Komisioni Evropian të dërgoj një mision të rivlerësimit në Kosovë, në ditët e ardhshme, me qëllim që të shoh dhe të bindë ato vende anëtare, jo domosdoshmërisht ato që s'e kanë njohur Kosovën, por disa të tjera, që kanë qeveri të reja, që t'i risigurojë ato se qeveria e Kosovës ka kryer ato që janë kërkuar nga ajo; përfshirë këtu edhe ligjin për riintegrim dhe të tjera ligje me qëllim të fillimit të dialogut për vizat. Shpresoj se ky mision do të vijë së shpejti dhe pastaj do të hapet rruga për dialogun për vizat," tha Lunachek.
n.e/NOA