Lushnjë, 27 nëntor, NOA – Në vigjilje të festës së Pavarësisë, nga qyteti i Lushnjes ku bisedoi me të rinj e të reja për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë dhe aspiratën për integrimin e Shqipërisë në BE, numri dy i koalicionit qeveritar, njëherësh, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi se “Lëvizja në Europa pa viza është fitore e merituar”.
Si zëvendëskryeministër, Meta u ndal edhe në punën e bërë nga institucionet shqiptare për finalizimin me sukses të një prej ëndrrave të kahershme të shqiptarëve, që lidhet me lëvizjen si qytetarë të lirë në hapësirën Shengen, një proces ky që sipas Metës do të sjellë më shumë mundësi për qytetarët.
Në këtë suazë përpjekjes e sakrificash shumëvjeçare për të mbërritur tek lëvizja e lirë, pa viza, gjatë takimit me të rinjtë, kreu i LSI-së, solli në vëmendje histori të 20 viteve të fundit, histori sakrificash për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, histori humbjesh nëpër detra, e hallakatjesh nëpër dyer ambasadash.
Andaj tha Meta heqja e vizave merr një rëndësi edhe më të madhe.
“Heqja e vizave tani është një ëndërr e realizuar. Ky vendim është rezultat i arritjeve të mëdha, është rezultat i standardeve të plotësuara nga një punë e madhe e institucioneve të vendit, duke realizuar një aspiratë të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët, nënat dhe të rinjtë shqiptarë”, vlerësoi zëvendëskryeministri Meta.
Sipas zotit Meta përfitim konkret nga heqja e vizave do të kenë të rinjtë, duke qenë se janë pjesa më vitale, të cilët do të kenë mundësi të njohin më mirë familjen europane ku Shqipëria kërkon të jetë pjesë.
E në këtë kontekst Meta nuk i kurseu lavdërimet për koalicionin që ai bëri me shefin e PD-së, Sali Berisha edhe pse kundërshtar i tij në bindje e në parime, pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009, koalicion të cilin ai gjithkund nëpër fjalimet e tij e ka cilësuar si koalicionin e integrimit.
“Ndaj me këtë rast shpreh dhe një herë tjetër krenarinë” u shpreh Meta, “për vendimin e marrë për krijimin e koalicionit për integrimin e vendit ku natyrisht një angazhim madhor në një plan afatshkurtër ka qenë pikërisht liberalizmi i vizave dhe plotësimi i detyrimeve të Qeverisë dhe të vendit në këtë drejtim”.
Shefi i LSI-së, theksoi sakaq se “sfida të tjera janë përpara dhe ne jemi të bindur se do t’i përmbushim me përgjegjësi maksimale”.
Ai i bëri thirrje lidershipit të opozitës që të reflektojë për të dhënë kontributet në këtë proces dhe të mos mohojë sikundër tha Meta, punën që është bërë, sepse ajo nuk ka qenë thjeshtë dhe vetëm premtimi i mbajtur i Qeverisë së Integrimit, por ka qenë puna e qindra mijëra specialistëve të administratës publike të angazhuar.
Duke e quajtur mbi të gjitha një aspiratë të të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake dhe politike, kryetari i LSI-së, Ilir Meta i uroi të rinjtë dhe drejtuesit lokalë të LSI-së në Lushnjë për festat e 28 dhe 29 Nëntorit, kjo e fundit një datë, që LSI duket se nuk do ta festojë në koalicion me PD-në e Berishës.
mit/NOA