English

Prapaskenat e mediave në Maqedoni

Shkup, 27 nëntor, NOA - Gazetarë dhe analistë flasin për zhvillimet më të fundit në mediat në Maqedoni, duke përfshirë rastin e TV A1, zhvillimet brenda medieve shqiptare si dhe Shoqatat e Gazetarëve.

Emin Azemi – kryeredaktor (gazeta FAKTI)

Si do ta vlerësoni situatën e krijuar me televizionin A1, ku kemi tabore të ndara që mbrojnë interesa të ndryshme, përfshirë këtu edhe zërat shqiptarë që u involvuan në këtë problematik të kësaj medie?

Pamjet në televizionin A1, mund të komentohen nga disa këndvështrime. Shikuesi i këtyre pamjeve nuk kishte mundësi të shohë prapavijën e ngjarjes. Inspektorët financiarë që kishin ardhur të kontrollonin firmat në adresën “Pero Nakov” p.n, ende nuk e kemi të qartë nëse kishin nevojë për një asistencë aq të madhe policore. Ndodhja e televizionit A1 nën të njëjtin kulm me firmat e kontrolluara, i dha jehonë të padëshirueshme në publik këtij kontrolli. Involvimi i televizionit A1 në “llogaritë e papastra” të pronarit të tij me institucionet financiare të vendit, na duket një keqpërdorim i palejueshëm që i behet gazetarisë si profesion.

Por, çfarë po bëhet me mediet shqiptare dhe si e vlerësoni gjendjen e tyre në raport me politikën dhe trajtimin e tyre nga politika. Pse nuk ka solidarizim për problemet e medias shqiptare?

Mediat në gjuhën shqipe në Maqedoni, po zhvillohen vështirë, sepse lidhshmëria e tyre me faktorët ekonomikë e politikë, iu dikton edhe tempon e punës, pse jo edhe të politikave redaktuese. Ajo që bie në sy për të keq tek mediat në gjuhën shqipe në Maqedoni, është mania për të vepruar “solo”, pa një bashkëpunim dhe pa një bashkërenditje të domosdoshëm. Gazetarët shqiptarë gati se nuk komunikojnë në mes veti, ata shihen rrallë dhe fare hiç këmbejnë materiale gazetareske. Mediat shqipe citohen nga mediat maqedonase, por jo edhe nga kolegët shqiptarë.

Prania e politikës në mediat shqipe, nuk është një dukuri e panjohur, por ajo që bie në sy është trajta mjaft çoroditëse e kësaj pranie. Politikanët shqiptarë gjithmonë kanë dashur “të japin pak, dhe të marrin shumë”. Pozita ekonomike e pafavorshme e mediave shqipe u ka krijuar atyre deficite të theksuara profesionale. Tek mediat në gjuhën shqipe mungon solidarizimi për problemet e përbashkëta, sepse ato ende kanë qasje parciale për zgjidhjen e atyre problemeve. Gazetarët shqiptarë nuk e kanë një organizëm që do ti tubonte ata dhe kjo ka krijuar njëfarë kakofonie në shprehjen e pakënaqësive të tyre. Në një situate të tillë, politika gjen terren të përshtatshëm dhe me kalimin e kohës ndodhë nënshtrimi i mediave, kush më herët e kush më vonë.

Shpëtimin nga kjo situatë e shoh te krijimi i koncerneve mediatike , të pandikuara nga politika, të cilat nuk do ta kishin kryekëput produktin mediatik burim kryesor të të ardhurave. Një ekonomi e konsoliduar mediatike, e mbështetur nga njerëz me formim kulturor e iluminist, do ta shpëtonte gazetarinë shqiptare nga tortura poshtëruese e kurriz-thyerjes që vjen nga politika e paemancipuar.

Zgjedhjet në Shoqatën e Gazetarëve janë aktuale. Në garë kemi edhe kandidatë shqiptarë, disa klane dhe grupacione për të marrë drejtimin e shoqatës dhe një debat që nuk ishte gjithëpërfshirës nga fillimi i promovimit të zgjedhjeve ?

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë prej shumë kohësh ndodhet në letargji dhe ajo e ka humbur kuptimin elementar të misionit që duhet ta ketë. Tash së fundi po bëhen përpjekje për ta këndellur atë, me paralajmërimet për zgjedhjen e drejtuesve të ri. SHGM mund të zgjedhë forumet e reja drejtuese, por është iluzore të pritet se kjo mund të sjellë ndonjë zgjidhje fatlume për statusin e mediave në gjuhën shqipe. Nuk besoj se kjo shoqatë do ta ketë vullnetin dhe kapacitetin të ballafaqohet me sfidat e mediave shqipe, sepse këto të fundit kanë probleme specifike dhe qasja ndaj këtyre problemeve kërkon edhe rrugë e menaxhime pak a shumë specifike.

Nebi Mërseli, analist politik

Si do ta vlerësoni situatën e krijuar me televizionin A1, ku kemi tabore të ndara që mbrojnë interesa të ndryshme, përfshirë këtu edhe zërat shqiptarë që u involvuan në këtë problematik të kësaj medie?

Pavarësisht se çfarë po ndodh me A1, ku më tepër po shikohet nga prizmi i ndërhyrjes së politikës në media, është e pakuptimtë të dalin shqiptarët në mbrojtje të medias me sintagmë maqedonase apo të jenë kundër. Në të kaluarën, po edhe aktualisht, medieve shqiptare në Maqedoni i është bërë padrejtësi e madhe, si nga politika dhe shteti maqedonas, po aq edhe nga politikanët shqiptarë, të cilët, jo që janë përpjekur të krijojnë media të forta në gjuhën shqipe, por vazhdimisht i kanë shantazhuar ato. Tendenca më e keqe është se nëpërmjet pronarëve joshqiptarë të krijohet media në gjuhën shqipe në Maqedoni. Dhe kjo ngërthen në vete mashtrimin optik dhe politik, ngase maqedonasit do të kenë në kontroll tërë opinionin publik shqiptare dhe s’domend se impakti është i madh aktualisht edhe në politikën e shqiptarëve në Maqedoni.

Por, çfarë po bëhet me mediat shqiptare dhe si e vlerësoni gjendjen e tyre në raport me politikën dhe trajtimin e tyre nga politika. Pse nuk ka solidarizim për problemet e medias shqiptare ?

Media në gjuhën shqipe në Maqedoni është e varur kryekëput nga “lëmosha” që e bëjnë institucionet publike dhe kompanitë e mëdha – si ato të telefonive mobile, bankave dhe kompanive të sigurimeve. Asnjëherë ndarja e reklamimeve nuk ka qenë as për së afërmi në raport me strukturën mediale apo etnike. Rasti televizionit Alsat M, që e ka singlën media në shqip, por me konotacion të pozicionimit politik dhe, së fundi, themelimi i A2 në gjuhën shqipe dëshmon se nën vellon e “ndihmës” për mediat në gjuhën shqipe, pronarët dhe drejtuesit e këtyre medieve, lehtë mund të manipulojnë me opinionin publik shqiptar, shoqërinë civile dhe tërë spektrin politik shqiptar.

Pra, mediat shqiptare, në këto suaza, karshi politikës nuk mund të bëjnë asgjë, aq më tepër të jenë me ndikim tek subjektet politike shqiptare, të cilat me tepër preferojnë të ekspozohen para mediave maqedonase se sa mediave në gjuhën shqipe. Dhe, mediat e mirëfillta në gjuhën shqipe vazhdimisht janë ngulfatur nga politika institucionale e maqedonasve, por edhe e partive shqiptare që “hypin” në pushtet.

Zgjedhjet në Shoqatën e Gazetarëve janë aktuale. Në garë kemi edhe kandidatë shqiptarë, disa klane dhe grupacione për të marrë drejtimin e shoqatës dhe një debat që nuk ishte gjithëpërfshirës nga fillimi i promovimit të zgjedhjeve? Dy kolegët shqiptarë që kandiduan për kryetar të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, të cilët në aparencë i kemi përkrahur, edhe pse nuk janë përkujdesur që lobojnë më shumë tek gazetarët shqiptarë, doli se nuk janë të pranueshëm për gazetarët maqedonas, të cilët bën puc dhe nuk lejuan që një shqiptar të udhëheq me ketë shoqatë. Dhe, kjo është pasqyrë e mirë e perceptimit stereotip që e kanë, madje, edhe kjo shtresë e shoqërisë maqedonase ndaj shqiptare. Mendoj se kolegët Nazim Rashidi dhe Naser Selmani duhet të tërhiqen nga gara.

Naser Pajaziti – kryeredaktor (Agjencia e lajmeve INA)

Si do ta vlerësoni situatën e krijuar me televizionin A1, ku kemi tabore të ndara që mbrojnë interesa të ndryshme, përfshirë këtu edhe zërat shqiptarë që u involvuan në këtë problematik të kësaj medie?

Problemi i televizionit A1, sa u duk si një ndërhyrje ndaj një medie të lirë, aq shumë nxori në sipërfaqe betejën e vërtetë të grupimeve të interesave politike, biznesore dhe më pak të atyre që e ndjejnë më shumë në lëkurën e tyre se kur shkelet apo përdhoset fjala e lirë dhe dinjiteti i një gazetari. Skenari i kësaj ndërhyrjeje ishte zgjedhur nga Qeveria në momentin e papritur, ndërsa më bën përshtypje një detaj i debateve të kuluareve të partisë së kryeministrit Gruevski se “Torbeshi nuk mund të na bëjë apo të na kanalizojë politikat e mëdha megalo-maqedonase”. Kryeministri aktual dhe makineria e tij i determinon të gjithë ata që i prishin planet e tij, dhe konfrontimi është shumë brutal, sepse me këtë i dërgohen sinjale të qarta përkrahësve dhe kundërshtarëve. Por, mbi të gjitha në këtë rrëmujë nuk është e justifikueshme që gazetarët të përdoren si mjete për kusuritje apo për pastrim llogarish, derisa pronari Velija Ramkovski nuk sqaron se si është e vërteta me gjashtë kompanitë kontroverse dhe të dyshuara për kriminalitet dhe të cilat kanë një hyrje të vetme kryesore me TV A1 dhe gazetat e tij.

Por në këtë moment ajo që duhet të ndodhë është koha që të hapen debate rreth problemit të mediave shqiptare, të cilat atakohen çdo ditë heshturazi nga shantazhet e perfeksionuara politike dhe institucionale.

Por, çfarë po bëhet me mediat shqiptare dhe si e vlerësoni gjendjen e tyre në raport me politikën dhe trajtimin e tyre nga politika. Pse nuk ka solidarizim për problemet e medias shqiptare?

Politika shqiptare dhe konstrukti i saj është ndër faktorët kryesor problematik që po mbajnë peng zhvillimin e medias shqiptare në Maqedoni.

Faktori politik shqiptar asnjëherë nuk u shndërrua në zëdhënës të problemeve të mediave shqiptare, të kontribuojnë në zhvillimin e nivelit të debatit, përfitimit të hises që i takon medias shqiptare nga arka e shtetit dhe fondet e tjera monopoliste dhe biznesore, respektimin e statusit të gazetarit, etj.

Kemi një komoditet të thurur nga politika, e cila dëshiron që sa më gjatë të prodhojë një krizë të tillë të kontrolluar të mediave shqiptare, e cila nuk lejon zhvillimin e medias. Gjithë ky mozaik i ndjekur me shantazhime dhe elokuenca të ndryshme e dikton zhvillimin e një medie dhe pamundëson ofrimin e pronarëve të gazetave apo menaxhuesve të tyre në një front të përbashkët për të kërkuar pjesën që i takon. Kriza e tillë mundësoi edhe inflirtimin individual dhe grupor të atyre që gazetarinë e pamë si punë apo zanat të lehtë, dhe që ka imazh dhe përfitime ëndërrimtare për ta.

Zgjedhjet në Shoqatën e Gazetarëve janë aktuale. Në garë kemi edhe kandidatë shqiptarë, disa klane dhe grupacione për të marrë drejtimin e shoqatës dhe një debat që nuk ishte gjithëpërfshirës nga fillimi i promovimit të zgjedhjeve?

SHGM dihet qartë se është një organizatë e ngulfatur nga klane dhe grupime, të cilat u shtuan ditëve të fundit në numër më të madh me ambiciet për të marrë timonin e drejtimit. Kemi një udhëheqësi që tani duhet të ikë dhe që ishte zgjedhur me 40 apo 50 veta, dhe dihej se kush i përfaqësonte gazetarët shqiptarë, pa një mandat kuptimplotë.

Zgjedhjet e fundit për kryetarin dhe udhëheqësin e re u shndërruan në një arenë të atyre që dolën me shumë ambicie dhe nuk e zgjeronin debatin për ti dhënë një kahje apo për të ndërtuar një projekt apo qëllim sa më gjithëpërfshirës. Ajo që nevojitej më së shumti ishte debati apo konsulta sado qoftë formale mes gjithë gazetarët shqiptarë, duke mos nxjerrë askënd në situatë përjashtuese. Të paktën të ishte bërë një anketë apo të ishte hedhur në debat publik përmes komunikimeve apo forumeve sociale të internetit, apo edhe të ishin shtruar debate e forume formale të paktën mes gazetarëve shqiptarë për shkak të specifikave që ballafaqohen mediat shqiptare dhe që i dimë secili problematikat që na tangojnë. Por, ndarjet e theksuara dhe pozicionimet e gazetarëve, janë dhe do të mbeten problematike, edhe pas zgjedhjes së kryetarit apo kryesisë së re.

NOA-INA
KOMENTE