English

Prefekti: S’kam faj unë pse Rama nuk mbledh KRRT-në e Tiranës

Tiranë, 27 nëntor, NOA – Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja ka reaguar ndaj deklaratave të dy ditëve më parë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama gjatë një emisioni televiziv, duke theksuar se kryebashkiaku Rama qeveris kryeqytetin part-time duke mos njohur as kudrin ligjor.

Prefekti Kruja duke marrë shembull deklaratat e Ramës, i cili për mosmbledhjen e KRRT-së së Tiranës fajësoi prefektin, deklaroi në një konferencë për shtyp se “Prefekti i Tiranës nuk ka të drejtë për shqyrtimin e vendimeve të KRRt-së, pasi vetë Gjykata Kushtetuese ia ka hequr këtë të drejtë qysh prej vitit 2006, andaj ai i cilësoi akuzat e kryebashkiakut Rama si shfaqje publike dhe fasadë për të mbrojtur gënjeshtrat e veta".

“Të enjten në mbrëmje, në emisionin “love story”, në ndryshim nga hera e kaluar zoti Rama u shfaq vetëm me gjysmën e vet të keqe. Por edhe kësaj here pa asnjë ndryshim si në çdo shfaqje të tij publike, zoti Rama gënjeu qytetarët pa iu dridhur qerpiku. Rama tha se KRRT-ja e Tiranës është e bllokuar, pasi Prefekti është në konflikt interesi, sepse është personi, që shqyrton vendimet e KRRT-së”, tha prefekti Kruja.

Ai argumentoi se me kërkesë të Bashkisë së Tiranës, Gjykata Kushtetuese, që në vitin 2006 me një vendim të saj ia ka hequr institucionit te Prefektit të Qarkut të drejtën e shqyrtimit te vendimeve të KRRT-së.

Sipas Krujës vendimi i kësaj GJK-së, mban nr. 29 dt. 21.12.2006

“Pra, Prefekti i Tiranës nuk është në konflikt interesi në lidhje me vendimet e KRRT-së”, tha prefekti.

Në këtë suazë ai sqaroi se janë anëtarët e KRRT-së së Tiranës ata që janë në konflikt interesi.

Kruja bëri me dije emrat e anëtarëve të KRRT-së, të cilët janë Artan Shkreli, bashkëshorti i deputetes socialiste Enkeleda Ledi Shamku Shkreli, Alban Eftimi, i biri i drejtueses teknike të studios projektuese “ATELIE 4”, madje i dënuar sipas Krujës, nga ILDKP me gjobë për shkeljen e ligjit për parandalimin e konfliktit interesit në ushtrimin e funksioneve publike; apo Arben Biçoku, bashkëshortia e të cilit është ortake e vetme e shoqërisë “DELTA KONSTRUKSION“ me veprimtarinë në fushën e ndërtimeve, edhe ky i dënuar nga ILDKP me gjobë për shkeljen e ligjit për parandalimin e konfliktit interesit në ushtrimin e funksioneve publike, me vendim nr 32 dt.04.08.2009.

Në përfundim të deklaratës së tij, prefekti i Tiranës i kërkoi kryebashkiakut Edi Rama të sqarojë duke u bazuar edhe në shqetësimet e komunitetit biznesit dhe të qytetarëve të Tiranës, se “përse ai nuk e mbledh KRRT-në e Bashkisë së Tiranës?”.

mit/NOA
KOMENTE