Vizita e zotit Putin në Gjermani, që është partneri më i rëndësishëm tregtar, është pritur që të prodhojë njoftime më frymëzuese për investime të jashtme në vendin e tij
Nga "Financial Times" Kryeministri i Rusisë, Vlladimir Putin, ka kërkuar nga liderët e biznesit në Berlin, që ta hapin rrugën për më tepër investime ruse në Bashkimin Evropian, duke bërë thirrje për një zonë të lirë tregtare prej Atlantikut e deri në Vlladivostok. Por, njeriu më i fuqishëm në Moskë, ka marrë përgjigje dukshëm të ftohtë nga mikpritësit gjermanë, pas kritikave të ashpra të tij për rregulloret e BE-së dhe për armiqësitë e përgjithshme ndaj investitorëve rusë. Atij iu sigurua një bisedë e shkurtër gjysmëorëshe me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila e dënoi nismën e tij, duke e lavdëruar dobët. Qeveria gjermane e ka përshkruar idenë për hapësirë të lirë tregtare gjithë-evropiane, si “në tërësi shumë interesante” dhe diçka që qeveritë do ta studiojnë. Por, zonja Merkel tha se Rusia ende duhet ta kalojë rrugën e gjatë të modernizimit të ekonomisë së saj dhe të hapjes së kufijve të saj. Kritika e saj është shprehur nga Klaus Mangold, shef i Asociacionit udhëheqës gjerman për tregti me Rusinë, i cili kërkoi nga Qeveria e zotit Putin, që t’i tërheqë barrierat doganore dhe kufizimet me viza dhe të paraqesë një “plan të ri” për hapjen e ekonomisë së tij. Vizita e zotit Putin në Gjermani, që është partneri më i rëndësishëm tregtar, është pritur që të prodhojë njoftime më frymëzuese për investime të jashtme në vendin e tij. Në vend të kësaj, duke insistuar se Rusia ka bërë “pothuajse çdo gjë” të nevojshme për t’u anëtarësuar në Organizatën Botërore të Tregtisë, zoti Putin e sulmoi Bashkimin Evropian si “një rrugë të mbyllur” për investimet ruse. Putin tha se rregulloret e reja të BE-së, që synojnë ndaljen e furnizuesve të energjisë, që po ashtu të jenë edhe shpërndarës, vlerësohet si “grabitje” e kompanive ruse, siç është Gazpromi, pronë shtetërore. Ai i akuzoi vendet anëtare të BE-së se “po e mbyllin derën” para investitorëve rusë. Zonja Merkel ia ktheu duke thënë se kufizimet e vetë Rusisë në tregti duket se po shkojnë “jo krejtësisht në drejtim të duhur”, për promovimin e lidhjeve më të afërta. Atmosfera shumë e ftohtë e vizitës së zotit Putin ishte në kontrast të ashpër me vizitën e fundit zyrtare të Dmitri Medvedevit, aktualisht president i shtetit dhe ish-shef i kabinetit të zotit Putin. Zoti Medvedev ishte pranuar nga kancelarja Merkel në darkë, në muajin qershor dhe kishte biseduar disa orë me të për “modernizimin” e Rusisë. Megjithëqë presidenti rus është përgjegjës për politikën e jashtme, zoti Putin është homologu i saj direkt në sistemin rus dhe është përgjegjës për politikën ekonomike. Ai, po ashtu, konsiderohet të jetë ende politikani më i fuqishëm, që do të mund të garonte prapë në zgjedhjet për president, pasi Medvedevit t’i kalojë mandati në vitin 2012. Qeveria gjermane po përpiqet ta fitojë zotin Medvedev, i cili në Berlin shihet si më tepër liberal, si në aspektin social ashtu edhe në atë ekonomik, sesa ish-shefi i tij Putin. Por, analistët gjermanë e kuptojnë se presidenti është qartazi partner junior në marrëdhëniet shumë të afërta me kryeministrin. Derisa ishte në Berlin, zoti Putin kaloi më shumë kohë me ish- kancelarin Gerhard Shrëder, sesa me zonjën Merkel. Zoti Shrëder tash është kryesues i bordit mbikëqyrës të Rrjedhjes Veriore, që e ndihmon Gazpromin në ndërtimin e gazsjellësit nën Detin Baltik.