English

RROSH: Autoritetet shqiptare të lehtësojnë procedurat për nënshtetësinë e RSH-së

Prishtinë, 27 nëntor, NOA – Një ditë para festës kombëtare të Pavarësisë, Rrjeti i Oganizatave Shqiptare (RROSH), një forum i organizatave shoqërore shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe komunitetit çam i ka bërë sot thirrje autoriteteve më të larta të Shqipërisë, që të ndërmarrin hapa ligjorë për të lehtësuar marrjen e nënshtetësisë së Republikës së Shqipërisë, për persona, që janë me kombësi shqiptare, që aplikojnë për ta marrë.

Apeli i është drejtuar Presidentit Topi, kryeministrit Berisha, kryeparlamentares Topalli, ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe opinionit publik mbarëshqiptar, mediave duke theksuar se praktika e deritanishme ligjore e institucione ekzekutive dhe legjislative shqiptare, që nuk bën dallim midis aplikuesve të nënshtetësisë me kombësi shqiptare dhe joshqiptare, nuk është dinjitoze dhe shkon kundër interesave kombëtare shqiptare.

Sipas RROSH-it, veprimet institucionale që do të lehtësonin kushtet, që duhet të përmbushen për të marrë nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë nga aplikuesit me kombësi shqiptare, krahasuar me ata të një kombësie tjetër nuk janë të ndaluara as nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe as nga standartet ndërkombëtare, që Shqipëria kërkon të përmbushë.

Përkundrazi, shprehet RROSH-i në deklaratën e vet, ato janë atribut i vullnetit politik dhe plotësisht të mundshme në situatën ku gjendet sot shteti.

Duke dhënë një sërë argumentesh për këtë çështje, rrjeti i organizatave shqiptare RROSH, shpreson që kjo deklaratë do të vlerësohet pozitivisht, duke bërë të mundur dorazi, marrjen e nismave të duhura ligjore, që do të lehtësojnë marrjen e nënshtetësisë për aplikuesit shqiptarë.

Argumentet që i justifikojnë veprime të tilla janë disa:

-Pavarësia e shtetit shqiptar u shpall në emër të të gjithë kombit shqiptar dhe automatikisht e drejta e qytetarisë në shtetin shqiptar u ka takuar të gjithë shqiptarëve që nga ai çast. Si rrjedhojë, në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar, shqiptarët e trojeve etnike që mbetën jashtë shtetit shqiptar dhe diaspora kanë pasur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Më pas kjo e drejtë nuk iu njoh shqiptarëve jashtë shtetit për pjesën më të madhe të ekzistencës së tij. Në prag të 100 vjetorit të pavarësisë, lehtësimi i kushteve te marrjes së nënshtetësisë për shqiptarët me kombësi shqiptare do të përbënte një akt simbolik drejt përfaqësimit politik të kombit shqiptar që shpallja e 28 Nëntorit ia ngarkonte shtetit shqiptar.

-Republika e Shqipërisë edhe atëherë kur institucionalisht nuk ka përfaqësuar shqiptarët jonënshtetas të saj, është konsideruar si shteti amë i kombit dhe mendojmë se ka ardhur koha që ky status të gjejë pasqyrim në ligjin e marrjes së nënshtetësisë ku të diferencohen shqiptarët etnikë nga joshqiptarët që dëshirojnë të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë.

-Preambula e Republikës së Shqipërisë përmend detyrën që ka shteti për aspiratën shekullore për ruajtjen e identitetit dhe për bashkimin kombëtar, prandaj diferencimi midis aplikuesve shqiptarë dhe joshqiptarë i përmbahet kësaj fryme.

-Diferencimi kombëtar në dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Shqipërisë nuk është një praktikë e re në Ballkan, ku disa shtete kanë kohë që e zbatojnë këtë praktikë. Njihen plot raste të dhënies së nënshtetësisë nga vendet fqinje në mënyrë të privilegjuar për pakicat etnike. Ka ndodhur që shqiptarët etnikë janë deklaruar se i përkasin pakicave për të përfituar nënshtetësi në këtë formë dhe madje kjo gjë është nxitur në shumë mënyra edhe nga shtetet fqinjë. Nisma ligjore që ne propozojmë do të shërbente edhe si një kundërpeshë ndaj këtyre politikave kundërshqiptare.

-Lehtësimi relativ i procedurave për marrjen e nënshtetësisë për aplikuasit shqiptarë nuk do të thotë se e nënshtetësia iu jepet automatikisht të gjithë shqiptarëve kudo ku janë. E drejta e dhënies dhe e refuzimit të nënshtetësisë rast pas rasti mbetet atribut sovran i institucioneve të shtetit shqiptar. Rrjedhimisht mendojmë se lehtësimi i procedurave nuk do të sjellë pasoja negative për interesat e Republikës së Shqipërisë dhe angazhimet e saj ndërkombëtare.

mit/NOA
KOMENTE