English

28 jo 29...Qeveria PD-LSI feston e ndarë çlirimin e vendit

Tiranë, 28 nëntor, NOA/ Irma Toptani – Qeveria ndahet për festa... Ndërsa pjesa e djathtë e mazhorancës qeverisëse festoi sot, në të njëjtën ditë, 98 vjetorin e Pavarësisë së Kombit dhe 66 vjetorin e Çlirimit të vendit në 1944-ën, pjesa tjetër e koalicionit që kryesohet nga kreu i LSI-së dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta me partinë e tij do të festojnë nesër në 29 nëntor ditën e çlirimit të vendit.

Në një mesazh elektronik të postuar nga LSI informohet se zëvendëskryeministri, Ilir Meta dhe të tjerë drejtues të LSI-së, sikundër kanë vepruar kaherë do të zhvillojnë nesër në 09:30 homazhe pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.

Në respekt të të rënëve në luftë për çlirimin e vendit, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta do të vendosë një kurorë me lule në emër të LSI-së pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.

Por, ajo që është e sigurt është se kjo ditë e shënuar në kalendarin e post-luftës së dytë botërore, dhe vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, do të bashkojë të paktën si bashkëudhëtarë, dy kundërshtarët jo në bindje, Ilir Metën me Edi Ramën.

Nuk dihet nëse axhenda e dy krerëve, të opozitës dhe numrit dy të qeverisë do të jetë në të njëjtën orë, por ajo që është e sigurt është se si PS dhe LSI festojnë bashkë Çlirimin e vendit, duke evokuar edhe sot ndasitë politike që ekzistojnë për këtë ditë, nëse Shqipëria u çlirua në 28 nëntor të 1944-ës apo se gjermani i fundit iku nga toka e shqipeve mëngjesin e 29 nëntorit.

Nëse për politikanët e LSI-së dhe PS-së, me atë të djathtë, kjo ndasi përbën edhe nderimin të paktën për ata veteranë të mbetur të Luftës Nacional Çlirimtare, por ndoshta një besnikëri e mbetur edhe për qëllime elektorale, për qytetarët e thjeshtë kjo ditë e çlirimit, është një ditë pushimi më shumë, ndërkohë që në epokën komuniste, kësaj dite i dedikoheshin të gjitha nderimet, që linin ethshëm pas krahësh Ditën Kombëtare të Përjetësimit të Kombit Shqiptar si i Pavarur.

mit/NOA

KOMENTE