Bruksel, 28 nëntor, NOA - Ministrat e Ekonomisë të vendeve të eurozonës ratifikuan sot planin e mbështetjes së BE-së dhe FMN-së, për Irlandën.
Ndihma, që do t’i akordohet Dublinit arrin shifrën e 85 milardë eurove dhe pritet të miratohet edhe nga i gjithë blloku.
Mbledhja e ministrave të Ekonomisë të 27 vendeve anëtare u mbajt në Bruksel, pas përfundimit të takimit të Eurogroup, gjatë të cilit u ratifikua plani mbështetës.
Ministrat e Eurogroup arritën gjithashtu një marrëveshje për mënyrën sesi do të funksionojë fondi i mbështetjes pas vitit 2013.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se detajet e planit të mbështetjes u pranuan nga Irlanda gjatë bisedimeve me Trojkën europiane.
Sipas marrëveshjes, nga 85 miliardë euro, 35 miliardë do të përdoren për shpëtimin e bankave nga kriza e borxheve.
Interesi i borxhit do të jetë 6.7%, më i lartë se Greqia, që e ka një interes borxhi prej 5.2 %.
Ndërsa po sot, presidenca franceze përgënjeshtroi zërat se Franca po kërcënohet nga kriza e vendeve të eurozonës.
Sipas saj ekonomia franceze nuk u dënua nga luhatjet e tregjeve të eurozonës javët e fundit.
“Lavdi Zotit”, nuk jemi në në njëjtën kategori me Greqinë dhe Irlandën, theksoi një zyrtar i lartë i presidencës franceze.
mit/NOA