English

Dita e Çlirimit, ja një zgjidhje e thjeshtë për kontestimin

“Dita e çlirimit të Tiranës të shpallet dita e çlirimit të Republikës së Shqipërisë!”

Gafurr Adili

Për dy dekada me radhë, politika zyrtare e Tiranës, për datën e festimit të çlirimit të Republikës së Shqipërisë, është e ndarë në dy taborre.

E djathta shqiptare, ditën e çlirimit të Republikës së Shqipërisë, e feston më 28 nëntor, me arsyetimin e saj absurd se gjoja ushtari i fundit nazist (gjerman) nuk qenka larguar nga Shkodra më 29 nëntor 1944, por qenka larguar më 28 nëntor 1944.

Kurse, e majta shqiptare, ditën e çlirimit të Republikës së Shqipërisë, e feston më 29 nëntor, gjithashtu me arsyetimin e saj absurd, se gjoja ushtari i fundit nazist (gjerman) nga Shkodra qenka larguar më 29 nëntor 1944.

Absurditetet e radhës të politikës zyrtare të Tiranës!

Absurditeti tjetër, edhe më i madh se sa absurditeti i më sipër, konsiston edhe në faktin e dublimit të festës së çlirimit të Republikës së Shqipërisë me festën e Flamurit Kombëtar.

Festa e çlirimit të Republikës së Shqipërisë ka qenë, është dhe duhet të jetë festë shtetërore e Republikës së Shqipërisë.

Kurse, festa e Flamurit Kombëtar (28 Nëntori) ka qenë, është dhe duhet të jetë festë mbarëkombëtare e të gjithë shqiptarëve në të gjitha trojet etnike të Shqipërisë Historike dhe edhe e diasporës shqiptare në Botë.

Prandaj, nuk edhe ka asnjë arsye logjike që të bëhet dublimi i këtyre dy datave historike, siç ndodhi edhe në këtë 28 nëntor, kur asnjëri nga krerët e Republikës së Shqipërisë, as Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Zoti Bamir Topi, as Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Zoti Sali Berisha dhe as Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Zonja Jozefina Topalli, nuk ishin në festën e Flamurit Kombëtar në Vlorën Heroike, aty ku të parët tanë e ngritën Flamurin Kombëtar dhe e shpallën Pavarësinë Kombëtare të Shqipërisë Historike, por të gjithë ishin në Tiranë, te varrezat e dëshmorëve tëKombit, dhe me këtë rast as nuk e festuan vetëm ditën e çlirimit të Republikës së Shqipërisë, të kësaj Shqipërie Londineze.

Që të evitojmë këtë ndarje e përçarje kaq të madhe, të shkaktuar nga armiqtë e Kombit Shqiptar, gjykoj që forcat patriotike shqiptare, jo vetëm në Republikën e Shqipërisë, por edhe më gjerë, në të gjitha krahinat e Shqipërisë Etnike dhe në diasporën shqiptare, duhet të mobilizohen dhe edhe të kërkojnë që, në Republikën e Shqipërisë të organizohet një Referendum Popullor për përcaktimin e datës së Çlirimit të Republikës së Shqipërisë.

Parimi themelor i demokracisë është Referendumi.

Dhe, pikërisht për këtë arsye, që politika zyrtare e Tiranës, jo vetëm që duhet të dëshmohet se vërtetë udhëhiqet nga parimi fondamental i demokracisë, por njëkohësisht edhe për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë sherr kaq të madh për një çështje kaq fondamentale e kombëtare, datën e çlirimit të Republikës së Shqipërisë, si dhe për të evituar njëherë e përgjithmonëë edhe përçarjen ndërshqiptare të popullit të Republikës së Shqipërisë, urgjentisht duhet të organizohet Referendumi Popullor, ku të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërise do tëdeklaroheshin për datën festive dhe zyrtare të çlirimit të Republikës së Shqipërisë.

Dita e çlirimit të Tiranës, 17 nëntori, data e Çlirimit të Republikës së Shqipërisë.

Shumica e shteteve, për datë zyrtare të çlirimit të tyre, e kanë përcaktuar datën e çlirimit të kryeqyteteve të tyre, prandaj edhe Republika e Shqipërisë, për datë zyrtare të çlirimit të Republikës së Shqipërisë duhet ta përcaktojë 17 nëntorin, ditën e çlirimit të Kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë, të Tiranës.

Tiranë, më 28 nëntor 2010

KOMENTE