Bukuresht, 28 Nëntor 2010 NOA/ Baki Ymeri - Ambasada e Shqipërisë në Bukuresht organizoi një manifestim të denjë kushtuar Ditës së Flamurit. Fjalën e inaugurimit e mbajti Dr. Luan Topçiu, ministër këshilltar i ambasadës, ndërsa këtë kremtim tradicional e nderuan përfaqësues të komunitetit shqiptar, bij dhe bija të rilindësve tanë, miq dhe dashamirë të Shqipërisë.
Ndër ta shquhej ish-ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Gjergj Miku (Gheorghe Micu), ishpërfaqësuesi i Rumanisë në Zyrën rumune në Prishtinë, Gjergj Bukura (Gheorghe Bucura), Adriana Tabaku, e mbesa e Dhimitër Emanoilit që vajti me delegacionin e Ismail Qemalit në Vlorë, Sherban Tabaku, autor i fjalorit të parë shqip/rumanisht dhe anasjelltas, etj.
Me këtë rast, Dr. Xhelku Maksuti, themelues i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe Anëtar Nderi i kësaj shoqate, përmendi faktin se shqiptarët e Rumanisë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për pritjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Konstancë, për krijimin e kushteve dhe organizimin e mbledhjes historike të Bukureshtit (5 nëntor 1912), ku u morën vendimet e para që Shqipëria të bëhet e lirë dhe e pavarur.
Në fjalën e tij, Dr. Maksuti, theksoi se komuniteti i këtushëm shqiptar, me një vjetërsi prej mbi katër shekuj në trojet rumune, i ka dhënë impuls lëvizjes së rilindjes kombëtare, pavarësisht nga partitë politike apo lajthitjet e historisë, ka kremtuar për çdo vjet Ditën e Flamurit shqiptar.
Ai përmendi të vërtetën se në konformitet me traditat shqiptare të këtij vendi, kolonia shqiptare e ka kremtuar Ditën Kombëtare të Shqipërisë, edhe në kohën e Princ Ëiedit, edhe në atë të Ahmet Zogut, Enver Hoxhës apo Sali Berishës, shqiptarët duke qenë përherë faktor i stabilitetit dhe bashkëveprimit me popujt që i kanë pranuar në gjirin e tyre për ekzistencë dhe koegzistencë, Rumania duke qenë gjithmonë motra besnike e Shqipërisë.
Në këtë kontekst, sipas tij, meritën më të madhe e ka sundimtari Mihai Viteazul (Trimi), themeluesi i komunitetit të këtushëm shqiptar, i cili, për t’i shpëtuar nga persekutimet osmane, në vitin 1595 u mundësoi 15 mijë shqiptarëve të kalojnë Danubin dhe të vendosen në trojet rumune të Oltenisë.
Që nga ajo kohë, emra të shquar, si Vasile Lupu (Ujku), të cilit i thonin edhe Vasile Albanezul, apo dinastia e Gjikajve, do të japin kontribut të lartë për mbarëvajtjen e këtij vendi nga drita në dritë.
Ndër ta shquhet Dora D’Istria (Elena Gjika) e cila do ta botojë në gjuhën italiane, historinë e parë të shqiptarëve të Rumanisë qysh në shek. XIX-të, pas së cilës pason një plejadë dijetarësh rumunë që do të shkruajnë me admirim për Shqipërinë, për gjuhën shqipe dhe historinë tonë (Nikolla Jorga, Theodor Kapidani, Grigore Brënkush etj.).
Shqiptarët e këtij vendi shquhen për integrim në shoqërinë rumune, e cila na ka ofruar mikpritje të përzemërt, dhe së cilës i kemi shërbyer me besnikëri, në të gjitha etapat e historisë.
Edhe pse komuniteti shqiptar i Rumanisë shkon duke u shpërbërë si pasojë e faktit se buxheti qeveritar i komunitetit derdhet emër të një organizate joshqiptare, në emër të së cilës (që nga viti 1996), është ngulfatur në Parlament një person që s’i përket etnisë sonë (Oana Manolescu që gëlltit nga 5.800 leja në muaj në emër të komunitetit shqiptar), shqiptarët e Rumanisë, sipas prof. dr. Xhelku Maksutit, në të gjitha kohërat janë integruar në mënyrë perfekte në jetën e shoqërisë rumune, duke marrë pjesë në të gjitha evenimentet e saj, me lojalitet, besnikëri e mirënjohje për përkrahjen dhënë Rilindjes kulturore dhe kombëtare, dhe sidomos në aktin e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë shtetërore të Shqipërisë, tani e 98 vjet më parë.
Maksuti potencoi faktin se “edhe shqiptarët e Rumanisë mburren me të vërtetën e ekzistencës së dy shteteve shqiptare (Kosova dhe Shqipëria), duke shpresuar se pas betejave dymijëvjeçare për mbrojtjen e identitetit kombëtar, do të vijë dita kur do të krijohet Shqipëria e bashkuar, respektivisht Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë, me Shkodrën si kryeqendër, duke u bazuar në afrinë e saj me Kosovën, mënjanë, dhe me botën katolike në anën tjetër.”
b.a/e.r/NOA