English

Është koha për mësimet e historisë

Është koha që këto mësime të historisë, jo vetëm tonës, por edhe të të gjitha vendeve të zhvilluara demokratike, të përvetësohen nga të gjitha aktorët e politikës dhe të jetës publike shqiptare!

Nga Bamir Topi

Në një ditë të rëndësishme si kjo, nuk mund të mos sjellësh në kujtesë udhëtimin e gjatë dhe të vështirë historik deri tek krijimi i shtetit të pavarur shqiptar. Një komb i lashtë si ky i yni, e ka arritur vonë atë që kombet e tjera evropiane, por edhe fqinjët tanë ballkanikë e kishin fituar shumë kohë para nesh.

Rrethanat historike apo gjeo-politike, cilatdo qofshin shkaqet e kësaj vonese, nuk e zbehin peshën e kësaj ngjarjeje në jetën e shqiptarëve, përkundrazi, e rrisin atë. “Vonesa nuk do të thotë gjithmonë prapambetje pasi brenda vonesës, si brenda koracës së padepërtueshme qëllon të jetë pjekuria, drita e brendshme, vetëdija e plotë për rëndësinë e aktit të madh themelues të 28 Nëntorit.”

Akti themelues i Shtetit shqiptar duhet kuptuar në dy dimensionet e tij: Më 28 Nëntor 1912 Shqipëria iu kthye vetvetes dhe Evropës. Edhe pse ky akt nuk i zgjidhi të gjitha problemet e shqiptarëve, ai i futi ato në rrugën e zgjidhjeve.

28 Nëntori duhet kuptuar si dita e realizimit të një projekti të madh të modernitetit, projekt njëherësh politik, kulturor dhe shpirtëror. Ky projekt ishte aq i madh, aq i rëndësishëm edhe aq vizionar sa duhej të kalonin gati njëqind vjet që ai të përmbushte aspiratat e veta kryesore. Projekti është ende gjallë, është ende frymëzues dhe është ende i papërfunduar. Integrimi i plotë dhe zyrtar i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është përmbyllja me sukses e tij.

Projekti ka pararendësit e vet. Projekti ka themeluesit e tij. Projekti i përket secilit prej nesh dhe gjithë shqiptarëve qofshin këtë politikanë apo njerëz të thjeshtë, por një vlerësim i veçantë u shkon në këtë ditë atyre që u përpoqën ta realizonin më së pari atë.

Nuk mund të mos përmendim këtu, Heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili realizoi i pari projektin e një shteti shqiptar në këto troje, i cili e ngriti dhe e mbajti atë duke u përballur me fuqinë më të madhe ushtarake të kohës së tij.

Asokohe, Evropa e pa ngritjen e shtetit të Skënderbeut me shpresë dhe e përkrahu atë, sepse mburoja dhe shpata e princave dhe ushtarëve arbër shërbyen njëherësh për mbrojtjen e vendeve evropiane dhe të vetë Shqipërisë.

Të vetëdijshëm për këtë mot të madh dhe testamentin e vet evropian, etërit themelues të shtetit shqiptar zgjodhën pikërisht 28 nëntorin si Nëntor të Dytë të Rilindjes Shqiptare. Në Vlorë, ditën kur plaku i flamurit, Ismail Qemali shpalli vendimin e shenjtë, ishin bashkë të gjithë rilindasit shqiptarë, të gjallë e të vdekur, sepse në atë akt u mishëruan shpirti dhe fryma atdhetare shqiptare.

Akti i krijimit të shtetit shqiptar në vitin 1912 rezultoi të ishte një veprim gjeo-politik i domosdoshëm për paqen dhe ekuilibrin e forcave në Ballkan.

Rajoni ynë nuk ishte i qetë asnjëherë në ato gati njëqind vjet që pasuan edhe për shkak të faktit se të gjitha zgjidhjet e diktuara nga faktorët ballkanas dhe jashtë tij nuk e morën parasysh kurrë realitetin dhe ndikimin e faktorit shqiptar në këtë hapësirë.

Sot pas gati njëqind vjetësh, kjo hapësirë është më e paqtë, më e sigurtë dhe më demokratike, sepse më në fund iu ka dhënë një zgjidhje çështjes shqiptare.

Shqiptarët janë në hapësirën e tyre të natyrshme me dy demokraci, me dy shtete dhe me standarde gjithnjë e më të përmirësuara demokratike, edhe në ato shtete të Ballkanit ku janë në pakicë. Rasti i faktorit shqiptar është tregues tipik se e drejta mund të vonojë, por nuk mund të vonohet kurrë pafundësisht dhe se ajo mund të fshihet përkohësisht, por jo të tjetërsohet!

Të nderuar bashkatdhetarë!

Sot, me plot të drejtë, ndihemi krenarë se Shqipëria është një vend demokratik në rrugën e një zhvillimi të sigurtë që do të na e bëjë më mirë jetën dhe të ardhmen, por edhe do të na e lartësojë imazhin e vendit tonë para mbarë botës.

Sapo kemi përfunduar me sukses një proces të rëndësishëm, liberalizimin e vizave, fitore kjo që dëshmon seriozitetin e reformave politike dhe ekonomike, që vendi ynë ka kryer gjatë këtyre njëzet vjetëve. Ky është një akt i madh i besimit evropian ndaj përpjekjeve tona. Në këto njëzet vjet ne kemi patur vërtetë një tranzicion të vështirë, por gjatë këtyre dy dekadave Shqipëria e ka zvogëluar distancën që e ndante nga vendet e zhvilluar demokratike perëndimore. Sot vendi ynë është një anëtar i denjë dhe i sprovuar i NATO-s dhe po troket me forcë e plot të drejtë në portat e Bashkimit Evropian.

Pikërisht kjo duhet të na bëjë që të ngrihemi në lartësinë e duhur të përgjegjësive historike të momentit. Asnjëherë Shqipëria nuk ka qenë në sytë e Evropës dhe asnjëherë sytë e Evropës nuk kanë qenë të përqendruara mbi Shqipërinë si tani. Këtë përgjegjësi duhet ta ndajmë të gjithë së bashku. Është momenti i duhur, sepse kjo është rruga që kemi zgjedhur vetë. Është pikëmbërritja jonë e ëndërruar dhe mëse e merituar. Duhet që ta bëjmë realitet dhe duhet që patjetër të mbërrijmë atje sa më shpejt për ne dhe për të ardhmen e sigurtë dhe të lumtur të fëmijëve tanë!

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Sublimiteti i kësaj dite dhe kujtimi i atyre atdhetarëve, të cilët kontribuan për të, na rikujtojnë një mësim të madh të historisë: Shqipëria dhe shqiptarët i kanë zgjidhur çështjet e tyre themelore sa herë palët i kanë lënë mënjanë interesat personale, klanore apo edhe politike.

Kompromisi në respekt dhe në shërbim të ligjit është forcë dhe jo dobësi. Dialogu është zgjidhja e vetme e problemeve.

Logjika e përfshirjes dhe jo e përjashtimit është baza e suksesit dhe parimi themelor i pluralizmit.

Është koha që këto mësime të historisë, jo vetëm tonës, por edhe të të gjitha vendeve të zhvilluara demokratike, të përvetësohen nga të gjitha aktorët e politikës dhe të jetës publike shqiptare!

Do të uroja që në jetën parlamentare, e cila është mishërim i vetë demokracisë, qeveria dhe opozita, nëpërmjet debatit dhe kundërvënies e argumentimit të alternativave të frytshme, të gjejnë vullnetin për të miratuar ligje në interes të qytetarëve, të vendit e të proceseve integruese si kryefjalë të aksionit tonë të përbashkët politik, ngadalësimi i të cilit nuk pranon asnjë lloj justifikimi dhe nuk përjashton askënd nga përgjegjësia përballë qytetarëve të këtij vendi.

* Përshëndetja e Presidentit me rastin e Festës Kombëtare, Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit

KOMENTE