Tiranë, 28 nëntor, NOA Update – Muharrem Berisha, pronari i godinës në të cilën ndodhen zyrat qendrore të LSI-së, ka deklaruar sot për mediat se ky objekt i është dhënë kësaj partie me qira para 4 vitesh.
Në një deklaratë për mediat, Berisha ka folur dhe në cilësinë e anëtarit të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, duke theksuar se akuzat ndaj kësaj partie janë politike dhe nuk kanë asnjë bazë të vërtetë. Duke komentuar deklaratat për blerjen e godinës ai u shpreh se ajo është dhënë me qira.
“Ndërtesa e selisë së LSI është prona ime të cilën e kam blerë që në vitin 2006 me një kredi me afat shlyerje prej 20 vjetësh dhe duke qenë një nga themeluesit e LSI e kam venë në dispozicion të saj, kundrejt qirasë për kryerjen e aktivitetit te saj politik”, tha sot Berisha.
Ai i cilësoi deklaratat e PS si “shpifjet të ulëta të bëra ndaj meje nga papagallët e Edi Ramës". Berisha tha se prej pasurinë e ka vendosur duke u marrë me biznes dhe nuk ka përfituar në mënyrë të paligjshme.
“Jam marrë me biznes prej shume vitesh dhe në kohë shumë të vështira, që përpara viteve ‘90 dhe bizneset e mija i kam ngritur me djersë dhe me ndershmëri dhe jo duke marr 20%.”, tha ai.
Duke u cilësuar si të rënda akuzat që i janë bërë atij, Berisha u shpreh se do të padisë deputetët e PS-së. “Duke u ndjerë i cenuar në dinjitetin tim si qytetar do të padis papagallin e Edi Ramës ditët e ardhshme në gjykatë pasi mua s'mund as të më marrin nëpërkëmbë, as të më vënë gjoba siç janë mësuar me të tjerët pasi unë nuk jam zëmër lepur, megjithëse mishi i lepurit më pëlqen shumë”, tha Muharrem Berisha.
Ai u shpreh se godia e LSI-së ka qenë edhe më parë kur kjo forcë ishte në koalicion me Partinë Socialiste.
“Selia e LSI për të cilën shpif sot papagalli i Edi Ramës ka qënë po ajo edhe në 2007 kur Edi Rama vinte e na lutej për t’i dhënë vota për tu bërë kryetar i Bashkisë së Tiranës, por atëherë për të çdo gjë ishte e rregullt ndërsa sot jo”, u shpreh Berisha.
Sipas tij akuzat për pasurinë e kreu të LSI-së janë sulme personale ndaj Ilir Metës dhe kreu i PS-së duhet të përballet vet me të dhe jo duke sulmuar biznesin.
“Edi Rama nëse ka probleme politike dhe personale me Ilir Metën le të përballet ballazi me të dhe të mos guxojë të prekë emrin tim si dhe përgojojë bizneset e mija te ngritur me djerse dhe me sakrificë”.
a.k/NOA