Tiranë, 28 nëntor, NOA – Tetë ditë pasi ndodhi një qytetar tiranas, dëshmitar i ngjarjes, ka bërë me dije autoritetet e vendit se, kryeplaku i lagjes, “Hajdar Hidi” në Tiranë, i quajtur Agron Balla dhe familja e tij kanë rrahur një plak 78 vjeçar dhe të bijën duke i kërcënuar ata edhe me armë, në mes të ditës pa u shqetësuar fare apo të kishin frikë prej ligjit.
Vladimir Pano, dëshmitari okular i kësaj ngjarjeje që ndodhi të shtunën e 20 nëntorit, deklaroi sot këtë fakt të rëndë dhe të tmerrshëm duke vënë në dijeni përmes postës elektronike kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe kryetarin e njësisë bashkiake.
Pano bëri me dije se policia kishte ardhur në vendngjarje dhe në vend se të vendoste qetësinë i ofroi mundësinë, kryeplakut të lagjes, Agron Balla dhe familjes së tij që të vazhdonin lehtësisht kërcënimet deri me vdekje për të moshuarin 78 vjeçar dhe të bijën e tij, kërcënime për të cilat qytetari Vladimir Pano nuk ka bërë të ditura arsyet.
“Më vjen shumë keq, por ndërgjegja qytetare nuk më lejon ta harroj këtë ngjarje të shëmtuar, e cila nuk i përket familjes së madhe evropiane”, thekson në mesazhin e tij qytetari Vladimir Pano, duke i bërë thirrje autoriteteve më të larta të vendit të marrin masa pasi komuniteti gjendet gjithnjë në rrezik jete nga persona të tillë të pandëshkuar nga ligji për aktet e tyre të shëmtuara dhe që rrezikojnë jetën e njerëzve të thjeshtë.
mit/NOA