Tiranë, 28 nëntor, NOA – Këtë pasdite festive të 28 nëntorit, integrimi i fëmijëve pa prindër nëpërmjet aktiviteteve kreative në jetën e kryeqytetit, ashtu si fëmijët e tjerë, që kanë fatin të kenë një familje pranë, ishte në qendër të një aktiviteti të mbajtur sot në mjediset e panairit Klik Ekspo Group.
Rreth 15 fëmijë të shtëpisë “Zyber Hallulli” në orët e pasdites janë bërë lajtmotivi i vëmendjes së vizitorëve të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, duke ofruar një shfaqje me program recitimesh dhe këngësh, në kuadrin e projektit “Mbështet një ëndërr të vogël”.
Performanca e tyre u zhvillua pikërisht në pikun e vizitorëve të Panairit, diçka e mundësuar nga organizatorët për t’i dhënë sa më tepër hov e gjallëri shfaqjes së fëmijëve.
“Mbështet një ëndërr të vogël” është projekti që Panairi Ndërkombëtar i Tiranës ka strehuar në një hapësirë të tij, për të mbështetur integrimin e fëmijëve të shtëpisë së fëmijës “Zyber Halulli”, në parteritet me Ministrinë e Arsimit.
Projektit “Mbështet një ëndërr të vogël” i është ofruar jo vetëm një kënd i dukshëm në hapësirën e Pallatit të Kongreseve për ekspozimin e kartolinave me vizatime nga fëmijët, por edhe një hapësirë kohore ku grupi i fëmijëve të drejtuar nga Fatmira Gjoni, kanë performuar me këngë dhe recitime për të përshëndetur Edicionin e 17-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës.
Sipas Gjonit, ky projekt që mbështetet edhe nga disa organizata artistike lokale, synon krijimin e një hapësire sociale kur fëmijët pa mbështetje që të zhvillojnë aftësitë e tyre krijuese dhe komunikuese përmes vizatimeve, aktrimit dhe muzikës.
“Fëmijët, me të cilët unë punoj e tregojnë veten gjithmonë më të pjekur sesa mosha e tyre. Ata janë përfshirë në këtë projekt me dëshirën e tyre dhe qëllimin për t’u vlerësuar në bazë të aftësisë që kanë. Ndërsa ju i shihni këtu sesi kërcejnë e recitojnë mund ta kuptoni vetë se ata nuk kanë nevojë për mëshirë, por për pranim social dhe hapësira për t’u shprehur”, tha zonja Fatmira Gjoni.
Madje, dëshira e Klik Ekspo Group për t’iu përgjigjur kërkesës së shtëpisë “Zyber Hallulli” ka marrë përmasat e një bamirësie, pasi një nga ekspozuesit e këtij edicioni të 17-të, Piceri & Restorant “Era” pas shfaqjes u ka mundësuar fëmijëve anti-pasta, ëmbëlsira dhe aranxhata për festën kombëtare të Pavarësisë.
mit/NOA