English

Pas Pavarësisë, Bashkia e Tiranës feston “Natën e Bardhë” të Çlirimit të kombit

Tiranë, 28 nëntor, NOA – Pas 28 nëntorit, ditës më të shënuar të kombit, ditë kur patriotët shqiptarë pas 500 vitesh nën pushtimin otoman shpallën Pavarësinë e Shqipërisë në 1912-ën, bashkia e Tiranës do të rifestojë për të shtatin vit radhazi “Natën e bardhë”, që bashkia e kryeqytetit e feston në përvjetorin e çlirimit të vendit nga okupimi nazifashist, një përvjetor që në të shkuarën komuniste la në hije për plot 50 vjet me radhë festën Kombëtare të Pavarësisë.

Nata e bardhë e këtij vitit rishtas do të ketë në qendër përqafimet rinore nën moton “Përqafomë”, kur të rinj të Rrjetit Rinor do të veshin bluzat e dedikuara këtij aktiviteti dhe befasisht mund të çudisin çdokënd me përqafime të behta.

Drejtoresha për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës, Joana Bushi tha se risi do të jetë koncerti i madh, që zhvillohet në Urën e Madhe të Bulevardit, që nën ritmet e muzikës folklorike do të mbajë gjallë kryeqytetin për plot 7 orë.

Ansamblit “Tirana” do t’i bashkohet grupi i famshëm Lira, i cili me serenatat korçare ka rritur breza të tërë.

Do të jenë vallet e mrekullueshme të Raicës që do të tundin Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe këngët e vallet e Shqipërisë së Mesme, të ekzekutuara me mjeshtëri nga ansamblet e Durrësit dhe Elbasanit, që do të ngrenë peshë publikun kryeqytetas.

Bashkia e kryeqytetit thekson se për herë të parë, qytetarët e Tiranës, por dhe vizitorët e shumtë, që vërshojnë në kryeqytet gjatë “Natës së Bardhë”, do të ndjekin një spektakël të vërtetë të Arteve Marciale, ku 120 persona, profesionistë dhe amatorë të moshave dhe gjinive të ndryshme, do të ndeshen para publikut.

Profesionet e humbura të Tiranës së vjetër, që u zhdukën bashkë me shkatërrimin e pazarit aq karakteristik për një kryeqytet si ky yni, do të shpalosen në formën e një ekspozite në lulishten e “Vëllezërve Frashëri”.

Do të jenë, Nallbani, llustraxhiu, artizani i dimiqeve të mermerit, punuesit e shajakut, kosaxhiu e shumë e shumë profesione të tjera, që pritet të ngjallin nostalgjinë, në sytë e të moshuarve duke informuar të rinjtë për një të shkuar të harruar, nga vitet e mbrapshta të diktaturës komuniste.

Ndërsa, zona e ish-Bllokut, zona më e preferuar nga të rinjtë, është zgjedhur edhe këtë vit, për argëtimin e tyre, pasi nën tingujt e hiteve më të suksesshme të vitit, balerinë dhe DJ të njohur do të projektojnë larmishëm “Natën e Bardhë.

Për më romantikët, ka menduar rishtas Bashkia e Tiranës, pasi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në lartësinë e Kuvendit, një grup të rinjsh do të performojnë live me kitarat e tyre, hite të suksesshëm të muzikës pop, rock.

Por, një skenë do t’i dedikohet gjithashtu muzikës klasike, ku artistë të rinj por dhe me eksperiencë do të ofrojnë pjesët më të mira klasike nga më të njohurat edhe për publikun.

Skena me e re e fëmijeve dhe të rinjve që frekuentojnë Qendrën Shumëfunksionale TEN, do të jetë e ndërtuar tek Ura e Re e ish-Bllokut, aty ku piktorët e vegjël do të ftojnë të pranishmit të përdorin kavaletat e tyre.

Por, kryeqytetasit do të kenë rishtas mundësi të vizitojnë Bashkinë e Tiranës, pas ajo do të hapë si gjithmonë dyert për qytetarët e saj, ku ata mund të takojnë e të bëjnë foto me kryebashkiakun Edi Rama.

Drejtoresha për marrëdhëniet me publikun, Joana Bushi thkesoi gjithashtu se “Bashkia e Tiranës do të ndalojë qarkullimin e makinave duke nisur nga ora 15.00 deri në përfundim të aktiviteteve, për të mundësuar e siguruar qytetarëve të shumtë, zhvillimin sa më normal dhe të qetë të kësaj feste”.

Qarkullimi i makinave do të ndalet në disa nga rrugët kryesore si: në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (sheshi “Skënderbej deri tek sheshi “Nënë Tereza”), në një pjesë e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” (“Bajram Curri” deri tek kryqëzimi me rrugën “Abdyl Frashëri”) si dhe në Urën e Re me harqe të Bllokut.

mit/NOA
KOMENTE