Prishtinë, 28 nëntor, NOA – Katër grabitës janë vënë në prangat e policisë së Prishtinës në kuadër të operacionit policor të koduar “Befasia III”.
Katër grabitësit të maskuar kanë hyrë rreth orës 00:35 pas mesnatës së 28 nëntorit, në lokalin “Dafina” një lokal lojërash fati që gjendet në rrugën Bill Klinton dhe kanë vjedhur 4.900 Euro.
Burime nga kjo polici bëjnë të ditur se grabitësit e maskuar pasi kishin kryer vjedhjen e parave janë larguar nga vendi i ngjarjes për në drejtim të panjohur.
Zyrtarët policorë të përfshirë në operacionin “Befasia III” kanë mbërritur në befasi duke arrestuar katër persona të dyshuar, ndërsa dy të dyshuar të tjerë, të cilët në bashkëveprim kanë kryer grabitjen kanë arritur t’i shpëtojnë policisë pa u kapur.
Katër grabitësve nuk u identifikohet emri, por ata janë:
Behar S. - viti i lindjes 1984.
Driton B. - viti i lindjes 1983.
Bejon H. - viti i lindjes 1977.
Agim C. - viti i lindjes 1973
Policia ka arritur t’i identifikojë dy personat e dyshuar dhe është vënë në kërkim të tyre. Në këtë operacion policor janë konfiskuar një veturë, e cila dyshohet se është përdorur nga të dyshuarit si dhe janë konfiskuar dëshmi të tjera që ndërlidhen me grabitjen.
Gjatë operacionit policor është kontrolluar edhe një lokal tjetër i quajtur “ Lavaza”, që gjendet në lagjen Bregu i Diellit-Prishtinë, lokal që sipas informacioneve policore të dyshuarit kishin planifikuar ta grabitnin ku edhe aty janë identifikuar dëshmi të reja nga vjedhja potenciale.
Të dyshuarit në bazë të dëshmive, dyshohet se janë të implikuar edhe në disa vepra tjera të grabitjes dhe në konsultim me prokurorin e çështjes janë dërguar në qendrën e paraburgimit, në pritje të arrestimeve të tjera.
mit/NOA