English

Romët rrezikojnë vizat në zonën Shengen

Shkup, 28 nëntor, NOA – Një vit pas liberalizimit të vizave në Maqedoni autoritete e Shkupit bëjnë analizën e efekteve negative që mund të sjellë emigrimi masiv. Fluksi i madh i migrimit të qytetarëve romë ka shqetësuar përfaqësuesit politikë dhe institucionalë, të cilët kanë shfaqur frikën se mund të rrezikohet liberalizimi i vizave nga dyndjet e mëdha.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska vizitoi dje lagjen Shuto Orizare në Shkup, lagje kjo e banuar kryesisht nga komuniteti rom.

Qëllimi i kësaj vizite siç tha ajo, ishte paralajmërimi i banorëve rom që të mos keqpërdorin liberalizimin e vizave.

Ajo sqaroi se, të gjithë ata që do të kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian do të kthehen në Maqedoni si dhe do të ballafaqohen me sanksione tjera, duke iu ndaluar hyrja për një kohë të gjatë në vendet e BE-së.

“Pasi të kthehen në Maqedoni do të jenë më të varfër, sepse një pjesë e tyre po e sheshin pronën dhe krejt pasurinë për të mbetur pastaj në rrugë”, u shpreh Jankullovska.

Ministria e Punëve të Brendshme shfaqi shpresën se, vala e azilantëve do të ndalojë. Ndërkaq, deputeti, Hamdi Bajram i ftoi romët që të mos kërkojnë më azil në vendet e BE-së si dhe të kthehen në shtëpitë e tyre brenda 90 ditëve.

NOA/INA

KOMENTE