Tiranë, 28 nëntor, NOA – Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka uruar sot gjithë shqiptarët me rastin e Festës së Flamurit.
Pas ceremonisë në memorialin “Nënë Shqipëri”, në një mesazh për urimi, Topalli shprehet se 98-vjetori i pavarësisë festohet bashkë me heqjen e vizave, duke i dhënë një tjetër dimension lirisë.
“Ne sot nderojmë shpirtin e lirisë, ditëlindjen e Kombit, shpirtin e lirisë që ka drejtuar mendjet dhe zemrat e shqiptarëve në shekuj. Ky përvjetor i festës së Flamurit, vjen bashkë me heqjen e vizave për shqiptarët, një dimension tjetër i lirisë”, shpreh Topalli.
Ajo ka vlerësuar kontributin e njerëzve që kanë punuar për pavarësinë e kombit.
"Sot ne festojmë ditën e Flamurit, ditën e Pavarësisë, ditën e Kombit. Në çdo cep të vendit, ne kujtojmë vlerat dhe vizionet e baballarëve të Kombit. Ne kujtojmë kurajën dhe atdhedashurinë e gjithë atyre, që bën Shqipërinë, atë që, ajo është sot”, tha Topalli.
Po sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli bashkë me Kryeministrin Sali Berisha do të vizitojnë shtëpinë e heroit të demokracisë Azem Hajdari.
a.k/NOA