Tiranë 28 nëntor, NOA – Pas homazheve në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, Presidenti i Republikës ka komentuar për mediat festën e 28 Nëntorit, duke vlerësuar se është momenti që të gjithë duhet të kujtojnë me nderim ata që kanë luftuar për kombin.
Kreu i shtetit ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar së bashku me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe disa ministra të kabinetit qeveritar.
“Kujtojmë me respekt gjithë patriotët që luftuan me armë dhe penë për Shqipërinë. Luftuan për Shqipërinë që sot ndodhet në dyert e Europës”, tha kreu i shtetit.
Topi u shpreh se në këtë ditë nderohen të gjithë patriotët që kanë kontribuar për këtë vend dhe se shqiptarët përulen para veprës së tyre.
“Sot është dita që jo vetëm t’i kujtojmë, por të themi me zë të lartë që vepra dhe ideali i tyre po bëhen realitet për një Shqipëri jo vetëm të pavarur, për një Shqipëri, e cila ndodhet në dyert e Evropës me një dinjitet të plotë, me dinjitetin e një populli, i cili e ka merituar dhe besoj se do e meritojë në shekuj, jo vetëm historinë e tij, por edhe mundësinë për të qenë njësoj si gjithë popujt e tjerë të Evropës”, tha Topi.
a.k/NOA