English

Topi: Politika ka për detyrë të promovojë biznesin

Tiranë, 28 nëntor, NOA – Kreu i shtetit, Bamir Topi ka kërkuar nga klasa politike që të promovojë më tepër biznesin shqiptar. Në vizitën që bëri sot në Panairin XVII Ndërkombëtar “Klik Ekspo Grup”, Presidenti tha se biznesi vendas i ka dhënë një fizionomi të re ekonomisë shqiptare.

“Institucionet dhe politikanët e kanë për detyrë ta promovojnë biznesin, t’i promovojnë të gjithë elementët e një ekonomie kapitaliste në Shqipëri, por jeni ju ata që konsideroheni aktorë të drejtpërdrejtë në terren ku patjetër i jepni shansin politikës që të krenohet me ekonominë, por të krenohet në radhë të parë me arritjet tuaja”, tha kreu i shtetit.

Gjatë vizitës në këtë panair, Topi mori dhe Medaljen “Shqiponja e Artë të Biznesit”, e cila ju dha nga drejtuesit e këtij aktiviteti.

“Përgjithësisht gjatë veprimtarisë sime jam mësuar të jap medalje, kështu që sot është një ditë e veçantë që po marr një çmim, i cili patjetër më gëzon, por edhe më impenjon më shumë. Gjithmonë kam qenë i ndërgjegjshëm se biznesi, sidomos ai biznes i krijuar në vitet e tranzicionit shqiptar ka qenë promotori i ekonomisë shqiptare”, tha Topi.

a.k/NOA

KOMENTE