Kavajë, 28 nëntor, NOA – Pas vizitës së përvitshme në varrezat e dëshmorëve të kombit dhe vënies së kurorës pranë përmendores “Nënë Shqipëri”, në përkujtim të përvjetorit të 66-të të ditës së Çlirimit, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka udhëtuar drejt kavajas, ku ka vizituar familjen e deputetit socialist, Indrit Cara, një pjesëtar i të cilës ka rënë dëshmor gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë bashkëbisedimit me pjesëtarët e familjes, shefi i opozitës, u shpreh se “është nder për ne që vizitojmë një familje me traditë të vjetër patriotike dhe se kjo ditë na kujton për sakrificën e të gjithë atyre, që u flijuan për një të ardhme më të mirë”.
Më i vjetri i familjes Cara duke risjellë në kujtesë tregimet e gjyshit të tij, tha se “Gjyshi ka qenë një nga ata që ngritën flamurin në Kavajë në 27 nëntor 1912, ka qenë shoqëruesi i Ismail Qemalit deri tek ura Mifolit, pjesëmarrës edhe në ngritjen e flamurit në Vlorë”, shtoi ai.
Kryefamiljari i familjes Cara të Kavajës duke falenderuar për vizitën theksoi se për të, të djathtë e të majtë janë njëlloj, pasi bindja e tij është Kombi.
“Neve kemi pritur dhe presim cilindo që ka dëshirë të vijë, nuk paragjykojmë nga ana politike e majta, apo e djathta. Ne kemi si parim që partia jonë është kombi, atdheu, populli, vëllezërit shqiptarë. Dhe ju na nderoni edhe neve me ardhjen tuaj”, tha më i vjetri i Carave.
Në mbrëmje kryetari i PS-së, dhe kryebashkiaku i Tiranës, do të mikpresë qytetarët në bashkinë e kryeqytetit, një traditë kjo e përvitshme bashkë me festimet për të shtatin vit të Natës së Bardhë, që evokon në fakt, 29 nëntorin ndaj të gdhirë, kur sipas të majtëve dhe një numri historianësh thuhet se iku gjermani i fundit nga Shkodra.
mit/NOA