English

Berluskoni: Nuk frekuentoj festa të egra, publikimet e Wikileaks të pavërteta

Tripoli, 29 nëntor, NOA – “Nuk frekuentoj festa të egra e nuk di as se ç’janë”.

Kështu është shprehur sot kryeministri italian, Silvio Berluskoni lidhur me dokumentet sekrete të publikuara nga faqja Wikileaks dhe të zbardhura nga prestigjiozja spanjolle, El Pais.

Duke folur me gazetarët në Tripoli të Libisë, kavalieri u shpreh se “janë publikime të pabazuara, të pavërteta e të pabesueshme, të treguara sipas tij nga funksionarë të ulët dhe të përcjella nga gazetat e të majtës”.

Dokumentet e publikuara nga Wikileaks e nxjerrin Berluskonin si një person të pabesueshëm në sytë e autoriteteve amerikane pasi ai merr pjesë nëpër festa të egra, dhe se është zëri i Putinit në Evropë.

Më tej kryeministri italian, sqaroi se darkat që ai organizon janë të gjitha korrekte dhe të pranueshme.

Ai nënvizoi se vajzat pjesëmarrëse në këto festa janë paguar për të thënë të kundërtën dhe se gjërat që thuhen lart e poshtë i bëjnë dëm imazhit të Italisë në botë.

Më herët lidhur me dokumentet sekrete për diplomacinë amerikane të publikuara nga faqja e internetit “Wikileaks”, ka reaguar edhe ministri i Jashtëm italian Franko Fratini, i cili deklaroi se “sulmi që kjo faqe po i bënë diplomacisë botërore është shumë i rëndë, pasi ajo po kërkon të shkatërrojë botën”.

Lidhur me faktet skandaloze për Berluskonin, Fratini theksoi se “Nuk mendoj se na leverdis si parti politike që të flasim kundër Berluskonit, duke qenë se lajmet ende nuk janë konfirmuar dhe janë të paplota. Me të parë dokumentet do të flasim në mënyrë konkrete, jo vetëm për Berluskonin”.

mit/NOA

KOMENTE