Tiranë, 29 Nëntor 2010 NOA Lajm dhe foto Update 19:07:36 – Një djalë i ri ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë zjarri pranë banesës së tij në qytetin e Tiranës, në një ekzekutim tipik mafioz, të mirë dhe parariorganizuar.
Krimi që i mori jetën të riut Erald Gjoni, 24 vjeç me banim në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë, ka ndodhur pasdreken e djeshme.
Burime policore i thanë agjencisë NOA se viktima ishte përdorues droge.
Ajo që mbetet e mistershme për policinë është fakti se në vendin e ngjarjes, fare afër banesës së të ndjerit, nuk u gjet asnjë gëzhojë. Nisur nga ky fakt, policia dyshon shumë se kemi të bëjmë me një atentat të planifikuar.
Dyshohet se autori apo autorët e krimit, kanë qëlluar me armë zjarri viktimën e tyre duke u kujdesur që gëzhojat të mos mbeten në vendngjarje.
I plagosuri, në gjendje të rëndë është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku në natën duke hyrë orët e para të ditës së sotme ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve serioze që kishte marrë.
Policia deklaroi se është në përpjekje e sipër për të gjetur autorët dhe shkaqet e kësaj vrasjeje.
e.r/NOA