Bruksel, 29 Nëntor 2010 NOA - Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Znj. Ina Rama, me ftesë të qeverisë Belge, që ka kryesimin si presidente e radhës e Këshillit dhe BE-së, po merr pjesë në Takimin Plenar të 35-të, të Rrjetit Evropian të Drejtësisë. i cili po zhvillohet në Bruksel.
Takimi Plenar zhvillohet nën kujdesin e ministrit të drejtësisë të Belgjikës, z. Stefaan de Clerck, dhe punimet e tij u përshëndetën edhe nga kryeprokurori i prokurorisë federale belge, z. Johan Delmulle.
Ky Takim Plenar, në të cilin marrin pjesë dhe personalitete të politikës dhe drejtësisë evropiane si dhe funksionarë të Eurojust, ka në fokus temën: “Bashkëpunimi Ndërkombëtar me rajonet kufitare me Evropën”.
Takimi fokusohet në format e ndryshme të bashkëpunimit juridik dhe policor midis rajoneve kufitare dhe vendeve pjesëtare të BE.
Objektivi i këtij takimi mbetet përmirësimi i praktikave nëpërmjet formave të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar në rajonet kufitare si dhe shkëmbimi i informacionit nëpërmjet pikave të kontaktit.
e.r/NOA