Letërsia e realizmit socialist duket se e ka bazën në një utopi letrare me pretendimin që ajo të realizohet në një vend dhe në një kohë të tashme. Prandaj kundërshtia duket e papërballueshme prandaj dhe rrëshqitja e ngadalshme kah ideologjia
Nga Sabri Hamiti
Letërsia e realizmit socialist shqiptar ka lindur në kohën e utopisë së re, komunizmit. Duket e këtillë utopi në kuptimin e parë në ideologji për t'u ngushtuar kështu në letërsi të tendencës. Letërsia e tendencës, letërsia e misionit si dhe letërsia qëllimore kanë një prehistori që mbështet në historinë e letërsisë shqipe të paragjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Në utopi, që shikuar në rrjedhë kohe, shfaqet si utopi e zotit dhe e besimit, në utopi të vendit e të atdhedashurisë, në utopi sociale apo në absolutin e përparimit; Në letërsi qëllimore e cila domosdoshmërish mbështetet në një ide dominante apo në një ideologji për t'u bërë e dobishme përballë kësaj ideologjie, duke marrë statusin e letërsisë së tendencës disa herë e kanë quajtur edhe letërsi e angazhuar; Në letërsi sociale me tema sociale të kohës, e lidhur kryesisht në letërsinë shqipe me vitet 20-30 të shekullit të njëzetë, ashtu dhe me literatura të tjera të Ballkanit të këtyre viteve, madje me një orientim të letërsive të Evropës të kësaj kohe. Por letërsia e realizmit socialist nuk është asnjëra prej këtyre, ndonëse merr nga diçka prej secilës duke u vetëpërkufizuar si letërsi ndërmjet utopisë dhe ideologjisë dhe për të përfunduar kryesisht në utopi letrare. Ajo nuk arrin asnjëherë të bëhet letërsi e realizmit në kuptimin barthesean që ka thellësinë, tërësinë, sistemin e të besueshmes. Letërsia e realizmit socialist shqiptar nganjëherë përpiqet të rimarrë modele të mëparshme të letërsisë shqipe siç është po e zëmë "Nënë Shqipëri" e Dritëro Agollit dhe lidhur me "Bagëti e bujqësi" të Naim Frashërit, ose me letërsi të tjera siç është "Lumi i vdekur" i Jakov Xoxës i lidhur me "Donin e qetë" të Mihal Shollohovit. Ngushtësia e saj metodike e shpie kah pamja karikaturale e shtypur nga censura. Vazhdon varfëria migjeniane në jetë por nuk duket askund tema e mjerimit social. Përjashtohet tema e seksit si tabu dhe vështirë të gjesh një përshkrim ose shenjë të hapur të shpërblimit dashunor në letërsi po dhe në arte të tjera në këtë vend... Termi realizëm socialist si sintagmë që lidh një formacion stilistik me një sistem ideologjik, është vështirë i shpjegueshëm në trashëgiminë letrare shqipe. Ndoshta mund të dukej më qartë po të shtjellohej duke u kundërvënë me një formulim të ngjashëm, tanimë të artikuluar më shumë në nivel interpretimi se metode. Fjala është për realizmin borgjez. Por kjo mund të bëhet vetëm kur ekziston prodhimtaria letrare e trashëguar që mund të kundërvërë një realizëm të quajtur socialist me një realizëm borgjez, nëse i kemi veprat letrare të dy periudhave. Nëse jo, është pastaj një spekulim. /Express/