Tiranë, 29 Nëntor, NOA – “Ky është një 29 Nëntor, tepër i veçantë, pasi është një festë që përkon me një dimension të ri për të gjithë qytetarët shqiptarë, siç është ai i një Shqipërie pa viza”.
Këto fjalë ka zgjedhur të thotë zv/kryeministri Ilir Meta, njëkohësisht edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me festën e 29 Nëntorit, menjëherë sapo ka vënë kurora me lule në monumentin “Shqipëri”, tek varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”.
Sipas tij, të gjithë ata që luftuan kundër okupatorit nazi-fashist, e bënë këtë që t’u jepnin shqiptarëve lirinë e merituar dhe këtë vit, për Metën, kjo liri është në nivelin më të lartë si asnjëherë tjetër.
“E në këtë rrugë, shqiptarët do të vazhdojnë të shijojnë lirinë e tyre, por duke kujtuar edhe jetën e sakrificat e atyre që dhanë jetën dhe do të punojnë të gjithë së bashku për një Shqipëri evropiane”, shtoi ai para gazetarëve.
n.e/NOA