English

Policia përgjigjet: Nuk kemi penguar bashkinë të dekorojë Tiranën

Tiranë, 29 nëntor, NOA – I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i policisë së kryeqytetit lidhur me akuzat e Bashkisë së Tiranës se policia e kishte penguar këtë institucion të dekoronte si çdo vit Tiranën me flamuj kuq e zi për festat e nëntorit me pretendimin se kërkonte të mos hiqte nga shtyllat banderolat blu të qeverisë.

Në një deklaratë për shtyp policia informoi se nuk e ka penguar bashkinë të dekorojë Tiranën.

Më tej policia informon se kemi zbatuar kërkesën e bërë nga bashkia e Tiranës, për bllokimin e rrugëve për festën e 29 nëntorit dhe Natën e Bardhë.

Policia thekson se edhe kërkesa për sigurimin e mjediseve ku do të zhvillohen aktivitetet e organizuara nga bashkia për festimet në zona të ndyshme të bulevardit të Tiranës është zbatuar dhe se policia po kryen detyrën e saj.

Policia reagoi për t’iu përgjigjur akuzave të zëdhënësit të bashkisë së Tiranës, e cila kërkoi në fund edhe bashkëpunimin e policisë për ruajtjen e sigurisë në rrugë gjatë festimeve të Natës së Bardhë, duke aluduar që policia të kryejë vërtet detyrën e të mos fshihet si një javë më parë kur Tirana nën reshjet e shiut përjetoi ditën më të pazakontë të bllokimit të trafikut, i cili sipas kryebashkiakut Edi Rama u bllokua qëllimisht nga kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, për të egërsuar qytetarët me bashkinë.

“Përfitojmë nga rasti t’u bëjmë thirrje edhe një herë Policisë së Rendit dhe asaj Rrugore, që ti përgjigjen kërkesës së Bashkisë së Tiranës për ndalimin e trafikut aty ku zhvillohen aktivitete dhe ruajtjen e rendit gjatë festimeve të natës së bardhë. Shpresojmë në bashkëpunimin e Policisë së Shtetit konform ligjit, që qytetarët e Tiranës të mos përjetojnë më bllokimin katastrofik të rrugëve, të vetëm një jave më parë”, tha më herët zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florion Serjani.

Gjithçka erdhi pas akuzave të këshilltarit të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Ferdinand Poni, i cili sot paradite kërkoi shkarkimin e kryeqeveritarit të Tiranës, Edi Rama, duke e cilësuar si të pafalshme deri armiqësore mosdekorimin festiv me flamujt kuq e zi të kryeqytetit shqiptar, pikërisht në festën kombëtare, 98 vjetorin e Pavarësisë.

mit/NOA
KOMENTE