Tiranë, 29 nëntor, NOA – Thellohen edhe më tepër problemet me operatorin e shpërndarjes së energjisë CEZ. Pas vonesave në dorëzimin e faturave të konsumit të energjisë, Posta Shqiptare është detyruar të sqarojë opinionin se vonesat nuk lidhen me punën e saj, por me administrimin e CEZ.
Në një njoftim publik Posta Shqiptare njofton se CEZ ka zgjedhur një tjetër kompani postare për të dorëzuar faturat e energjisë elektrike.
“Vetëm 2 muajt e fundit si rezultat i zgjedhjes së bashkëpunëtorëve të tjerë nga Cez, Posta Shqiptare ka marre rreth 100 mije fatura më pak në shkalle vendi; me konkretisht qyteti i Tiranes me 57 mije fatura me pak, 6 mije Durrësi, 5 mijë Elbasani, 4 mijë Fieri, 6 mije Korça si dhe 17 mijë Vlora etj”, thuhet në njoftimin e Postës Shqiptare.
Sipas saj kjo mungese faturash për tu shpërndarë nga Posta Shqiptare, ka sjellë keqkuptimin e opinionit dhe konsumatorit si punë të dobët të Postës Shqiptare në Shpërndarjen e faturave për konsumatorin.
“Kohët e fundit jemi përpara një situate të re pasi CEZ për shpërndarje ka zgjedhur bashkëpunëtorë të tjerë në kundërshtim me ligjin, të cilët duhet të përgjigjen përpara qytetarëve dhe opinionit për mosdorëzimin e faturave te konsumatorët”, thuhet në njoftimin e Postës.
Ajo i bën apel CEZ Shpërndarje, institucioneve shtetërore që merren me zbatimin e ligjit të ndërhyjnë për mbrojtjen e konsumatorit si dhe ligjeve të vendit tonë.
“Posta Shqiptare siguron të gjithë qytetaret në mbarë vendin se do të mbetet e angazhuar për të shërbyer me cilësi dhe saktësi në të gjitha shërbimet që ofrohen ne sportelet e saj dhe çdo skaj te Shqipërisë”, përfundon reagimi i Postës Shqiptare.
a.k/NOA