English

Reagon policia: Akuzat e Bashkisë të pavërteta, zbatuam kërkesat e bashkisë për Natën e Bardhë

Tiranë, 29 nëntor, NOA, Update- “Çdo lloj insituate apo pretendimi se Policia e Tiranës ka penguar Bashkinë për dekorimin e qytetit apo për organizimin e festimeve, është i pavërtetë”.

Kështu ka reaguar policia e kryeqytetit lidhur me akuzat e Bashkisë së Tiranës që deklaroi se policia e kishte penguar këtë institucion të dekoronte si çdo vit Tiranën me flamuj kuq e zi për festat e nëntorit me pretendimin se po ruante të mos hiqeshin nga shtyllat banderolat blu të propagandës së qeverisë.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini informoi se nuk e ka penguar bashkinë të dekorojë Tiranën.

“Strukturat e Policisë së Shtetit, nuk kanë penguar asnjë subjekt politik apo instiucion shtetëror për dekorimin e qytetit me rastin e Festave të Nëntorit dhe në asnjë mënyrë dhe asnjë rrethanë nuk kanë penguar punonjësit e Bashkisë së Tiranës, për të vendosur flamuj apo dekorime të tjera në qytet”.

Më tej policia informoi se ka zbatuar kërkesën e bërë nga bashkia e Tiranës, për bllokimin e rrugëve për festën e 29 nëntorit dhe Natën e Bardhë.

“Në lidhje me festimet e Natës së Bardhë, pas njoftimit zyrtar të dërguar nga Bashkia e Tiranës, policia ka marrë të gjitha masat e nevojshme për bllokimin e rrugëve dhe për sigurimin e prezencës së shërbimeve të policisë në të gjitha ambjentet e kërkuara nga Bashkia. Për marrjen e këtyre masave Bashkia e Tiranës është njoftuar dhe me shkresë zyrtare”, theksoi Katragjini.

Policia reagoi në përgjigje të akuzave të zëdhënësit të bashkisë së Tiranës, i cili kërkoi përtej akuzave edhe bashkëpunimin e policisë për ruajtjen e sigurisë në rrugë gjatë festimeve të Natës së Bardhë, duke aluduar që policia të kryejë vërtet detyrën e të mos fshihet si një javë më parë kur Tirana nën reshjet e shiut përjetoi ditën më të pazakontë të bllokimit të trafikut, i cili sipas kryebashkiakut Edi Rama u bllokua qëllimisht nga kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, për të egërsuar qytetarët me bashkinë.

Ky lumë deklaratash u iniciu që paraditen e sotme, kur këshilltari i PD-së në Bashkinë e Tiranës, Ferdinand Poni, kërkoi kërkoi shkarkimin e kryeqeveritarit të Tiranës, Edi Rama, duke e cilësuar si të pafalshme deri armiqësore mosdekorimin festiv me flamujt kuq e zi të kryeqytetit shqiptar, pikërisht në festën kombëtare, 98 vjetorin e Pavarësisë.

mit/NOA
KOMENTE