Pekin, 29 Nëntor, NOA - Kina ka deklaruar se në dhjetor do të ftojë për një raund të ri të bisedimeve gjashtë-palëshe për të diskutuar mbi krizën e krijuar befas ditët e fundit në gadishullin korean.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije në njëfarë mënyre edhe vizita e këshilltarit shtetëror kinez për marrëdhëniet me jashtë, Dai Bingguo, dje në Seul.
“Pala kineze shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve njerëzore, kur Koreja e Veriut sulmoi ishullin Yeonpyeong. U theksua vullneti për të bashkëpunuar me Korenë e Jugut për të shmangur përkeqësimin e situatës dhe për të vendosur paqen midis dy shteteve koreane", u shpreh një zëdhënës i presidentit koreano-jugor, Lee Myung Bak.
Që kur Koreja e Veriut bombardoi ishullin koreano-jugor javëne kaluar, ku mbetën të vrarë katër vetë, komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Pekinit për të bërë më shumë për të kontrolluar aleatin e tij, Phenianin.
Por në fillim, Kina nuk preferoi të reagonte, dhe pas presionit ndërkombëtar, Kina i shtoi përpjekjet diplomatike për të qetësuar tensionet rajonale, kur dihet se ajo është aleati kryesor i Koresë së Veriut.
n.e/NOA