Paris, 29 nëntor, NOA - Miodrag - Dado Gjuriç njëri prej piktorëve më të njohur malazez, është ndarë nga jeta një ditë më parë në Paris. Mediat e Malit të Zi raportojnë se Gjuriç vdiq pas një sëmundjeje të rëndë.
Gjuriç është një ndër piktorët më të njohur të fundit të shekullit të kaluar. Punimet e tij janë krahasuar me Marc Chagall dhe Salvador Dalin. Ai jetonte dhe punonte në Francë, në atelienë e tij në një fshat jo shumë larg Parisit.
Gjuriç e ka nisur punën e tij në vitin 1952 në Cetinja dhe Hercegovinë, ku më 1952 ka mbaruar shkollën e artit.
Për herë të parë ka ekspozuar në Rjekë të Kroacisë më 1958. Para dhjetë vjetësh historiani i njohur i artit Alain Bosket për veprimtarinë e tij ka botuar monografinë “Dado, universumi pa ndërprerje”.
Kryesisht ai ka punuar në vaj por edhe në grafikë, kolazhe dhe instalacione. Shumë media të huaja e kanë përshkruar Gjuriçin si një artist të veçantë dhe intelektual të lirë.
a.k/NOA