Nju-Jork, 30 nëntor, NOA – Përkushtimi i shtetit shqiptar në emër të miqësisë dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara, jo pak herë e ka nxjerrë Shqipërinë si një nga aleatët më të zellshëm të SHBA-ve, dhe një nga shembujt është pranimi i strehimit në Shqipëri të 5 ujgurëve në vitin 2006 dhe të 3 të burgosurve të Guantanamos vetëm një vit më parë.
Ky mendim është shprehur nga diplomatët amerikanë dhe ka dalë në sytë e të gjithëve pikërisht si një nga publikimet tronditëse të dokumenteve sekrete që ka nxjerrë në dritë faqja e internetit Wikileaks.
Prestigjozja e njohur amerikane New Jork Times shkruan se Wikileaks ka publikuar mesazhe diplomatike ku shprehen vlerësimet e diplomatëve amerikanë lidhur me gjetjen e mundësive për strehimin e ish të burgosurve të burgut të Guantanamos.
E në këtë kontekst, bie në sy përkrahja e menjëhershme e qeverisë shqiptare për strehimin e ish të burgosurve, ndërsa shumë vende të tjera anëtare të NATO-s kishin hezituar t’i merrnin.
Diplomatët shkruanin në një prej mesazheve diplomatike të publikuara nga Wikileaks se “shqiptarët duan të bëjnë më shumë se sa duhet, vetëm e vetëm për të ndihmuar në një prej prioriteteve të politikës sonë të jashtme”.
Madje gazeta amerikane shkruan se diplomatët amerikanë e kishin quajtur një ofertë të mirë, por të ekzagjeruar ofertën e bërë nga kryeministri Sali Berisha, i cili pas strehimit të 5 ujgurëve kishte pranuar të strehonte edhe 3 të burgosur të Guantanamos, por duke theksuar që ata të mos ishin kinezë.
Por, gazeta gjermane Der Shpigel në kuadër të publikimeve të Wikileaks, thekson se ujgurët nuk u trajtuan ashtu siç duhet, apo ashtu sikundër atyre iu premtua para se të vinin në Shqipëri, se do të gjenin një strehim, punë si dhe të ndërtonin jetën.
mit/NOA