Berlin, 30 nëntor, NOA - Publikimi i dhjetëra mijëra dokumenteve sekrete të Ministrisë së Jashtme amerikane prej platformës së internetit Wikileaks ka ndeshur kryesisht në refuzim. Ministri i jashtëm suedez Carl Bildt tha, se prej zbulimeve është minuar roli i diplomacisë në parandalimin e konflikteve. Ministri i Jashtëm irakian Hoshjar Sebari i përshkroi publikimet si të papërshtatshme dhe jokonstruktive. Rusia dhe Turqia u shprehën të përmbajtura. Fillimisht dokumentat duhet të shqyrtohen me kujdes, u tha në Moskë dhe në Ankara.
"Ne kemi dyshime në besueshmërinë e Wikileaks. Por ne do t'i shqyrtojmë të gjitha informacionet e publikuara dhe do të mbajmë më pas qendrim." - u shpreh kryeministri turk Erdoan. Në dokumentet e publikuar prej Wikileaks Erdogan dhe qeveria e tij konservatore vlerësohen nga diplomatë amerikanë me skepticizëm, si aleatë të pasigurtë, pasi po e çojnë vendin drejt një të ardhmeje islamiste.
Në dokumenta bëhen pjesërisht vlerësime negative mbi politikanë ndërkombëtarë. Ish-ambasadori amerikan në Gjermani, John Kornblum, u shpreh në televizionin gjerman, se sheh në fakt një humbje të besimit për diplomacinë amerikane, por ai beson në një përmirësim të shpejtë.
Në platforma të ndryshme të internetit njoftohet edhe për shumë dokumenta sekrete që kanë të bëjnë me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe vendet tjera të Evropës Juglindore.
NOA