English

Tirana prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit (WTM) në Londër

Londër, 30 Nëntor 2010 NOA - Ndryshimet rrënjësore që ka pësuar kryeqyteti shqiptar në dekadën e fundit e kanë kthyer atë në një qendër mjaft të rëndësishme turistike, të preferuar nga shumë vizitorë të huaj.

Vlerat historike të qytetit, kultura e traditat e banorëve të tij, por në të njëjtën kohë edhe zhvillimet e vrullshme të viteve e fundit janë me mjaft interes për të huajt, që duan të njohin më nga afër kryeqytetin e vendit të shqipeve.

Bashkia e Tiranës prej kohësh është duke zbatuar një strategji të qartë për forcimin dhe promovimin e vlerave me karakter historik, social dhe kulturor të kryeqytetit, në funksion të zhvillimit turistik.

Për këtë qëllim, Drejtoria e Promovimit të Qytetit pranë Bashkisë e ka prezantuar Tiranën në disa panaire ndërkombëtare si një destinacion me interes të veçantë turistik. “World Travel Market” ka qenë panairi i më i fundit ndërkombëtar i turizmit, ku kryeqyteti shqiptar është paraqitur me gjithë informacionin e nevojshëm, për këdo turist të interesuar.

I zhvilluar në kryeqytetit britanik, Londër, Panairi Ndërkombëtar i Turizmit (WTM) ka pasur një interesim të veçantë për informacionet e dhëna nga përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës.

Përfaqësuesit e Drejtorisë së Promovimit të Qytetit, që kanë prezantuar Tiranën, thanë se gjatë ditëve të panairit u vu re një interesim mjaft i lartë për Tiranën nga ana e subjekteve të ndryshme, që veprojnë në fushën e turizmit, si: agjenci turistike nga vende të ndryshme, kompani marketingu, media, përfaqësues të panaireve të tjera etj.

Kuriozitetit dhe interesimit për të mësuar më shumë për ato çka ofron Tirana për turistët e huaj i janë përgjigjur me mjaft profesionalizëm specialistët e Drejtorisë së Promovimit të Qytetit.

Ata kanë ofruar broshura, fletëpalosje dhe informacione të shumta, të përgatitura enkas për këtë veprimtari, për të gjithë vizitorët e panairit, që kanë qenë të “joshur” nga ideja e një udhëtimi drejt kryeqytetit shqiptar.

e.r/NOA

KOMENTE