Tiranë, 30 nëntor, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vizitoi Panairin Ndërkombëtar Klik- Ekspo Grup 2010 në Pallatin e Kongreseve, ku ajo është ndalur veçanërisht në stendat e firmave kosovare.
Zonja Topalli theksoi se këto biznese duhet të inkurajohen dhe njëkohësisht të shfrytëzohen të gjitha lehtësirat, që krijon klima e favorshme për biznes në Shqipëri.
Gjatë takimit me Presidentin e Klik- Ekspo Grup, Luan Muhametaj, ky i fundit vlerësoi ndër të tjera reformat legjistlative për zhvillimin ekonomik të vendit dhe i sugjeroi Kryeparlamentares Topalli ngritjen e një qendre të përhershme panairesh.
Pasi vizitoi nga afër stendat e panairit të 17-të Klik Ekspo Group, ku shpalosin prodhimet dhe veprimtaritë e tyre afro 350 biznese vendase dhe të huaj, kryeparlamentarja Topalli tha për mediat se “Kjo ekspozitë flet për një realitet, një Shqipëri tjetër. Secili prej nesh mund të imagjinojë një Shqipëri, që ofron mundësi të veçanta për biznese të ndryshme, firma të ndryshme, dhe unë në këtë rast i bëj komplimente të sinqerta, për hapjen e këtij panairi Ndërkombëtar Klip- Ekspo Grup”, theksoi zonja e parë e kuvendit.
“Në syrin e politikës unë e lexoj si një panair, që përkthen në secilën prej këtyre stendave, siç është ekonomia e sotme shqiptare, një ekonomi e vogël, solide, që vazhdon të ketë një rritje të rëndësishme dhe të qëndrueshme”, tha Topalli.
Ajo theksoi se qeveria ka për detyrë të krijojë një klimë miqësore për biznesin, pasi kështu ekonomia premton një zhvillim edhe më të mirë, dhe një treg të drejtë.
Sipas kryeparlamentares Topalli, bizneset që ekspozojnë në këtë panair kanë ardhur në Shqipëri sepse gjejnë një ambjent të mirë për të punuar e për të investuar e kokurruar me njëri tjetrin.
mit/NOA