Teheran, 30 nëntor, NOA - Një shkencëtar iranian për energjinë bërthamore, është vrarë në një atentat me bombë në kryeqytetin iranian Teheran.
Një tjetër shkencëtar është plagosur nga shpërthimi i një eksplozivi tjetër. Sipas të dhënave të policisë atentatorët i kishin vendosur lëndët shpërthyese në makinat e dy profesorëve.
Qeveria iraniane ka bërë përgjegjës për atentatet shërbimet sekrete të SHBA-së dhe Izraelit. Në janar të këtij viti një tjetër studiues iranian për energjinë bërthamore ishte vrarë në Teheran.
Perëndimi dyshon se Irani punon fshehurazi për prodhimin e armëve bërthamore, nën pretekstin e përdorimit civil të energjisë atomike. Ende nuk dihet nëse dy shkencëtarët e vrarë merrnin pjesë në programin bërthamor iranian.
NOA